Murinjo nuk është aspak i kënaqur për kalendarin e ngjeshur që ofrohet për Totenhemin në këtë periudhë. Skuadra e drejtuar nga trajneri i njohur në Europë do të luajë thuajse në çdo dy ditë, për më tepër edhe me fluturime të largëta dhe jashtë Anglisë. Për këtë arsye Murinjo kritikon organizatorët duke u shprehur se kjo është një shaka. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se kjo ngjeshje e kalendarit vjen pas një periudhë anormale nga pandemia e rënë që bllokoi futbollin dhe ndryshoi tërësisht planet.
“Kjo është një shaka, padyshim një shaka e plotë. Unë nuk dua që të dalim nga Europa League apo Carabao Cup. Ata njerëzit që marrin vendimet për këto kalendaret harrojnë se një skuadër angleze, jo Totenhemi, por një ekip anglez, mund të jetë Wolves, Sheffield apo një tjetër që do të largohet. Nuk është e mundur, është një shaka kjo. Por ne do të vazhdojmë. Ne ishim në Bullgari, të shtunën ndaj Southampton pastaj ndaj Leyton dhe të mërkurën do të fluturojmë në Maqedoni, apo jo? Dhe kështu vazhdon e vazhdon. Kjo është shumë dramatike, por le të luftojmë derisa nuk mundemi më”, u shpreh Murinjo. /Sport Ekspres/