Pasime të dhëna si me “levë në Play Station”, lezhjani me talent 24-karat që po i vjen Kombëtares

Nga Klaudio Ndreca

Në kohët e fundit Shqipëria ka një prurje të madhe sa i përket talenteve. Listën e kryeson Armando Broja si më i njohuri për tifozët, pasi ka kulmuar edhe me debutimin te Chelsea i Lampard. Por nëse shohim me kujdes, ka edhe të tjerë elemente që premtojnë shumë për Kombëtaren.

Mes tyre është Indrit Tuci, që te Shqipëria U-21 ka marrë pikërisht vendin e Brojës, me këtë të fundit që tashmë shihet për djemtë e Rejës. Tuci është lezhjani 19-vjeçar me talent 24-karat që është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit.

Më herët ishte pjesë e të rinjëve të kësaj skuadre, ndërsa në këtë sezon ka pasur më shumë hapësirë në ekipin e parë, madje duke shënuar 2 gola. Siç e thotë edhe vetë Besnik Prenga, Tuci e ka pasur këtë sezon si një njohje dhe prezantim në futbollin e të rriturëve në Kroaci. Ndërkohë shpërthimin e vërtetë do ta shohim në kampionatin e ardhshëm.

Një video përmbledhëse e momenteve të Tucit mund ta ndiqni edhe më poshtë, atje ku duket qartë nuhatja e madhe e sulmuesit shqiptar, që shpeshherë jep pasime si “me levë në Play Station”. Kjo e tregon qartësisht “trurin” e këtij futbollisti në organizimin e lojës dhe hapjen e topave për të furnizuar shokët, pavarësisht rolit si sulmues kryesor dhe që është ende i vogël në moshë. Sigurisht që ka ende shumë për të përmirësuar, sidomos në aspektin e realizimeve me goditjet në portën kundërshtare, por koha flet për Tucin. /Sport Ekspres/