Liga e futbollit është kthyer në një mision të pamundur dhe ëndërr të largët prej vitesh, por më në fund duket se të gjitha kushtet janë plotësuar dhe situata është e tillë që lejon formimin e Ligës, me klubet e Superiores që do të kenë mundësi të vendosin vetë për shumë gjëra, të pavarur nga Federata.
Pas zgjedhjeve për kreun e FSHF-së Liga do të marrë rrugë, të paktën këtë e garanton Duka, por edhe Fino e ka premtim madhor në platformën e tij zgjedhore.
Buxhet me vete, organizim pa pjesëmarrjen e Federatës, komisione dhe përzgjedhje arbitrash, menaxhim të së drejtës televizive, menaxhim sponsorësh dhe reklamash, përcaktim kalendaresh dhe shumë kompetenca të tjera që deri tani i ka pasur federata.
Natyrisht, ka shumë pikëpyetje e frikë nëse të ardhurat do të jenë të mjaftueshme pa mbështetjen e plotë nga FSHF-ja, por rrugë të mesme nuk ka. Ose futbolli shqiptar mëson të vetadministrohet, ose më mirë të vijojë të jetojë nën çadrën e Federatës dhe pastaj të ankohet që në penalltinë e parë kundër.