Skuadra e Partizanit i ka dhënë fund fazës përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Trajneri Skënder Gega kishte mundësinë të njihte më mirë lojtarët dhe të rriste gjendjen e tyre fizike. Ekipi i “demave” vuajti mungesën e miqësoreve, pasi luajtën vetëm një takim me Makedonijan, të fituar me rezultatin 1-0.
“Demat” do të rikthehen në Shqipëri ku do të vazhdojnë përgatitjet për Europa League, aty ku do të ndeshen me skuadrën e Mariborit. Një short i keq, pasi shanset janë të limituara për të kaluar më tej. Drejtuesit e të kuqve i kanë idetë e qarta për ndërhyrjet që do të bëjnë në ekip duke hedhur sytë më shumë nga kampionati.
Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, po punon për një mbrojtës të krahut të majtë dhe dy sulmues. Në pozicionin e majtë ka mbetur vetëm Kalari, ndërkohë që Hysenaj nuk duket ende gati për ta konkurruar. Rama po sheh alternativat dhe emrat, por nuk do të nxitohet.