Partizani dëshiron të përforcohet akoma më shumë në merkaton e verës. Trajneri Skënder Gega synon që të ketë një ekip kompakt para fillimit të kampionatit. Numri një i stolit nuk është i kënaqur me ekipin e tij, pasi e ka deklaruar se kërkon përforcime në të gjithë repartet e ekipit të tij.
Një ndër emrat që ka zënë vend në listën e teknikut është Ardit Krymi. Ky i fundit luan me Vllazninë dhe është një nga dëshirat e “demave” për merkaton e verës. Mesfushori ka kontratë te shkodranët dhe ekipi kuqeblu nuk e lë që të largohet.
Skuadra shkodrane nuk dëshiron të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, madje janë duke menduar që t’i lënë Krymit dhe shiritin e kapitenit, për ta mbrojtur nga largimi. Partizani nuk është dorëzuar dhe duket se do të tentojë deri në fund Krymin. Gjasat janë që marrëveshja të mbyllet me sukses.