Olsi Rama ka qenë ai që ka folur në emër të Partizanit sot, në lidhje me pezullimin e Trashit dhe Bathës, pikërisht para ndeshjes kundër Kukësit. Mesfushorët u pezulluan për dy ndeshje për shkak të sjelljes jo korrekte në ndeshjen kundër Flamurtarit të mërkurën, por në fushë arbitri nuk dha karton të kuq për asnjërin.
“Dalipi është shumë i zënë, sepse i duhet të shpikë diçka për ndeshjen me Kukësin, duke pasur parasysh se Komisionii Disiplinës na pezulloi dy mesfushorët tanë. Nuk kam një kapele magjistari t’ia jap trajnerit, ndaj le t’i japim minimalisht kohë, që të punojë për të sajuar diçka”, tha Drejtori Sportiv i Partizanit, i cili proteston në emër të klubit.
“Nuk i kuptoj shkaqet dhe arsyet e këtij dënimi, që për më tepër, publikohet vetëm 2 ditë para ndeshjes. Nga komunikimi i shkurtër na thanë se bëhet fjalë për një episod pas ndeshjes, ndërkohë që ne na kanë ndodhur plot episode të tilla dhe i kemi anashkaluar. E them në mënyrë të hapur që Partizani ka mbajtur deri tani një qëndrim shumë korrekt pavarësisht pasojave që ka vuajtur. Ky është një kompeticion sportiv në të cilin harxhohet një shumë e konsiderueshme lekësh. Është një dëm ekonomik që i bëhet klubit në të gjitha drejtimet. Një situatë e disfavorshme për futbollin shqiptar duke pasur parasysh raportin e 2 inspektorëve të UEFA-s në lidhje me Skënderbeun. Ne përballemi me një realitet që përsëri tenton të falsifikojë kampionatin. Jemi një klub që respektojmë të gjitha standarde. Jemi një klub që jemi interesuar më shumë se kurrë për disiplinën, qoftë brenda klubit apo edhe në fushë”.