Humbje, polemika, akuza, sherr me tifozët… Te Partizani ndodh ajo që ka ndodhur shpesh këtë sezon, por të kuqtë nuk kanë kohë që të merren me ndeshjen ndaj Kukësit, ku një karton i kuq për Çulum ndryshoi ndeshjen dhe ndoshta arbitri Kridens Meta mund ta kishte falur serbin për kartonin e dytë të verdhë, të paktën sipas drejtuesve të kuq.
Të premten në mbrëmje luhet Skënderbeu-Partizani, sfida e halleve të mëdha. Skënderbeu është i pari në renditje, por mendjen e ka te Shpata e Damokleut, sepse UEFA pritet ta përjashtojë nga kupat e Europës për 10 vitet e ardhshme dhe vendimi do të vijë pa mbyllur sezoni.
Ndërkaq, Partizani do të jetë pa mesfushorin Çulum, por ndoshta edhe pa të dëmtuarit Kalari e Telushi.
Për fat, kthehet Progni nga pezullimi, por klubi do të detyrohet të paguajë për të fshirë dënimin e mbetur për Bathën e Trashin. Konflikti me FSHF-në është i njohur, por tashmë Partizani nuk e ka luksin që të lerë pa shlyer dënimin e dy titullarëve, vetëm për inat të federatës.