Vllaznia është kthyer në befasinë më të madhe të këtij sezoni, por për të mbërritur te titulli kampion ka ende gjysmën e rrugës për të përshkuar. Forma e shkodranëve ka qenë e jashtëzakonshme, megjithëse për Dorian Bylykbashin kjo nuk mjafton për ti parë kuqeblutë fitues të titullit. Ish-futbollisti i njohur në një intervistë për “Sport Magazine” në “Ora Neës”, të moderuar nga Drilon Xhepollari, është shprehur se Vllaznisë i mungojnë emrat në skuadër. Në krye të Superiores Bylykbashi sheh ish-ekipin e tij, Partizanin, teksa përforcimet e bëra në merkato dhe një strateg si Ilir Daja në krye të pankinës janë çelësi i suksesit për të kuqtë.
“Për Partizanin është pak e vështirë të flasësh, sepse kam qenë pjesë për disa vite. Ka bërë gjënë më të mirë me trajnerin Daja që në fillim. Të mos harrojmë merkaton e mbyllur në fillim të kampionatit. Tani ka bërë shumë afrime dhe mendoj se do jetë i pari që do arrijë finishin. Pa i hequr asnjë meritë Vllaznisë, por ekipet që luftojnë për titull janë Partizani, Kukësi dhe Tirana, pa harruar këtu edhe Laçin e Duros që javët e fundit ka bërë ndeshje jashtëzakonisht të mira.
Vllaznisë ndoshta i mungon prej vitesh një kampionat. Deri në fund të sezonit shpresoj që ata ta meritojnë nëse do dalin kampion. Por e shoh shumë të vështirë, sepse nuk kanë ato emra që të mbajnë peshën e gjithë kampionatit. Ndërkohë Partizani ka njerëz që mbajnë mbi supe peshën e kampinatit”, ka thënë ndër të tjera Dorian Bylykbashi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/