Partizani dhe kompleksi, ëndrra e një nate vere?

0

Kompleksi sportiv i “demave” ka ngecur në vend. Punimet janë ndalur prej kohësh…

“Kur të bëhet kompleksi, atëherë do ta shohin këta të Tiranës. Do të kemi shtëpinë tonë, flakë fare”, – i tregonte një tifoz i Partizanit shokut të tij. “Lëri përrallat plako, prit gomar të dalin bar është ajo shprehja”, – ia kthente ky me mosbesim. Ishte i vetmi që nuk besonte, pasi “demat” e morën shumë seriozisht punën e kompleksit sportiv që po ndërtohet në ish-repartin ushtarak në Tufinë. Të kuqtë paraqitën plan-projektin. Morën truallin dhe nisën punën.
Afati i lënë për përfundimin e kompleksit ishte i afërt, pasi punimet nisën më 15 maj të 2016, sipas projektit dhe duhet të mbylleshin më 15 shtator 2017. Po mbyllim vitin 2017 dhe tifozët e kuq shpresojnë që skuadra të ketë kompleksin e ri në nisje të kampionatit të ri. Mundësitë janë të pakta.

NGECJA E PUNIMEVE – Punimet në kompleksin e Partizanit kanë ngecur që në korrik të vitit 2017. Asnjë avancim me punimet, apo tullë nuk është hedhur në shtëpinë e re të të kuqve. Kjo sjell probleme të mëdha për të ardhmen e klubit, por edhe të vetë arkës së kryeqytetasve. Kompleksi kushton çmendurisht shumë për buxhetet e klubeve shqiptare, pasi arrin vlerën e 5 milionë eurove, por “demat” janë të detyruar të paguajnë 5 milionë lekë qira sa herë luajnë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Pa harruar edhe pagesën e fushës stërvitore në Kamzë, por edhe hotelin te Liqeni Artificial. Të gjithë këto para mund të ishin përdorur mjaft mirë në investime të tjera, nëse të kuqtë do të kishin shtëpinë e tyre.

PROBLEMATIKA – Partizani po has një tjetër problematikë, pasi ngecja e punimeve ka konsistuar edhe me dëmtimin e tyre. Fusha e stadiumit e cila ishte niveluar ka filluar të amortizohet dhe ka nevojë për një tjetër rinivelim. Sa më shumë kohë që humbasin të kuqtë, aq më keq do të ndikojë te e ardhmja e Partizanit.

SHTYRJA E AFATAVE – Partizani e ka shtyrë afatin e punimeve me dy herë, por tashmë “demat” nuk japin asnjë përgjigje. Fillimisht u premtua se kompleksi do të ishte gati në shtator, për të nisur sezonin e ri 2017-18 në shtëpinë e re, por kjo nuk u realizua. Më pas, u premtua se me shumë mundësi kompleksi do të ishte gati në fund të vitit, por ja ku jemi. Ne jemi, kompleksi jo! Të kuqtë duket se e kanë harruar krejtësisht kompleksin e tyre dhe nuk japin më asnjë detaj për ndërtimin e kompleksit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.