“Demat” e kanë në krye të listës emrin e 21-vjeçarit për merkato. Për të arritur te ai mund të përfshihen edhe futbollistë të tjerë në tratativ…
Lojtari më i çmuar i Superligës për momentin është Kristal Abazaj. Rritje e dukshme nga sezoni i kaluar, pasi ka fituar më shumë eksperiencë, më shumë forcë fizike dhe shpejtësi të madhe, “asi nën mëngë”, mosha. 21-vjeçari është i dëshirueshëm nga të gjithë ekipet kryesues, madje edhe nga skuadra jashtë vendit. Mbajtja e tij në Gjirokastër duket e vështirë, ndërsa Partizani kryeson listën e skuadrave që duan ta kenë në gjirin e tyre. “Demat” u munduan ta joshin edhe në merkaton e verës, por kontrata e tij nuk e lejoi.
Abazaj e ka nisur sezonin e ri aty ku e la të shkuarin, me gola dhe përformanca të mira. Në një Luftëtar që nuk e ka shkëlqimin e sezonit të kaluar, elbasanasi po arrin të evidentohet. Gjashtë ndeshje dhe 2 gola janë statistikat e këtij sezoni.
Merkatoja e janarit do të jetë “e ngrohtë” për të, pasi ai i ka shtuar më shumë zërat e largimit, pasi dëshiron të provojë një eksperiencë të re dhe të bëjë një tjetër hap më të madh në karrierë. Sigurisht, Luftëtari nuk do të qëndroi duarkryq dhe nuk do të humbasë një ndër pikat kyçe të ekipit, e aq më pak me parametra zero. Një ofertë e mirë mund të lëkunde edhe dëshirën e gjirokastriteve për ta mbajtur në skuadër.
PARTIZANI – Abazaj është mbajtur në vëzhgim nga drejtuesit e Partizanit. Mesfushori pëlqehet së tepërmi nga “demat” jo vetëm se ka cilësi të mira dhe shihet si një investim edhe për të ardhmen, por edhe për shkak të nevojës së kryeqytetasve në këtë repart. Mungesa e befasisë dhe ndërlidhjes ndërmjet mesfushës dhe sulmit, e bën afrimin e Abazajt, ose një lojtari të tipit të tij thuajse të nevojshëm në kampin e kuq. Dëshira e madhe e drejtuesve, por edhe me miratimin e Moxhit është 21-vjeçari. Konkurrenca për të është e madhe.
KONKURRENCA – Për të arritur shërbimet e Abazajt, Partizani duhet të mposhtë konkurrencën e Skënderbeut. Korçarët e duan me patjetër lojtarin e Luftëtarit, ndërsa “demat” janë gati për të nisur garën për të arritur te shërbimet e futbollistit. Dëshirë të madhe për të siguruar shërbimet e lojtarit ka edhe Kukësi që mund të përdorë kartën e Milinkoviçit dhe njohjen e lojtarit me stafin e kampionëve.
LUFTËTARI – Për të siguruar shërbimet e futbollistit nuk është aspak e lehtë, pasi Luftëtari nuk ka ndërmend të heqë dorë nga futbollisti i tyre, e aq më pak me parametra zero. Abazaj është nën kontratë dhe kushdo që kërkon të sigurojë shërbimet e tij duhet të paguajë. Gjirokastritët nuk duan ta humbin me parametra zero, kështu që janë të hapur për oferta. Ai klub që do të joshë më shumë gjirokastritët me shumën që do të ofrojë do të arrijë edhe te Abazaj.
STRATEGJIA – Partizani e njeh dëshirën e lojtarit për t’u larguar. Drejtuesit e kuq do të flasin me drejtuesit e Luftëtarit, sigurisht edhe me lojtarin vetë. Në tratativa nuk përjashtohet edhe ofrimi i ndonjë futbollisti për Luftëtarin. Të rinjtë e afruar nga Moxhi dhe nuk po gjejnë minuta mund të përfshihen në këtë tentativë. Emri që mund të tundojë Luftëtarin është ai i Filit. Fieraku mund të pranojë kalimin te gjiroakstritët për të pasur minuta dhe rigjetur formën e tij më të mirë.
Abazaj shkëlqeu me Shpresat,
interesim nga jashtë vendit
Afrimi i Kristal Abazajt me “demat” do të ishte edhe një vlerë e shtuar, pasi 21-vjeçari është edhe pjesë e ekipit kombëtar U-21. Abazaj ka qenë i grumbulluar në ndeshjet e fundit ku ka arritur edhe të shënojë. Në sfidën kundër Islandës të fituar me rezultatin 2-3 nga ekipi U-21 arriti të gjente dy herë rrugën e rrjetës. Paraqitjet e tij të mira kanë gjetur edhe interesin e menaxherëve të huaj. Si çdo lojtar tjetër shqiptar, Abazaj e sheh më me interes kalimin në ndonjë kampionat të fortë europian. Interesi nuk ka munguar, por për momentin në zyrat e klubit gjirokastrit nuk ka ndonjë ofertë konkrete. Të shohim dhe të presim se kush do të sigurojë shërbimet e Abazajt dhe nëse Luftëtari do të dorëzohet.