Ekipet e Superiores kanë luajtur ndeshjet e tyre të para në Europë. Rezultatet nuk janë ato që priteshin, ndërsa Partizani është skuadra që ka bindur më shumë. Të kuqtë arritën që të fitonin në shifrat 5-2 ndaj Sfintul Gheorge duke e arritur kualifikimin thuajse që në ndeshjen e parë. Megjithatë shorti ishte i pamëshirshëm për të kuqtë në turin e dytë të “Conference League”.
Ajo që vlen të kujtohet është fakti se kryeqytetasit do të ndeshen menjëherë me Bazelin e Zvicrës. Nga ana tjetër shpresa të mëdha ka edhe te Laçi që të përmbysi humbjen në shifrat 1-0 ndaj Podgoricës. Këtë herë në shtëpinë e tyre kurbinasit do të provojnë gjithçka për t’u kualifikuar më tej, ndërsa vlen të theksohet se në këtë vit është hequr edhe goli në fushën kundërshtare.
Pra çdo fitore me një gol diferencë nga ana e Laçit do ta dërgonte takimin në shtesë. Disi më pak shpresa kanë te Vllaznia duke parë rezultatin, por ekzistojnë të gjitha mundësitë që shkodranët të provojnë kualifikimin ndaj Siroki Brijeg. Këta të fundit arritën të fitonin në shifrat 3-1 me arbitrimin që ishte dukshëm në favor të vendasve. Sa i përket Teutës ka marrë fund shpresa për të kaluar në turin e dytë të Champions League pas humbjes 0-4 ndaj Sherif Tiraspol, ndërsa në turin e dytë të Conference League e pret Inter Club d’Escaldes. /Sport Ekspres/