Partizani ka arritur që të fitojë thellë kundër Kastriotit në shifrat 4-1. Një ndeshje që nuk solli probleme për të kuqtë, të cilët marrin kreun e Superiores së bashku me Tiranën, duke numëruar 44 pikë. Ngjashmëria është e frikshme me bardheblutë pasi të dy ekipet kryeqytetase kanë nga 13 fitore, 5 barazime dhe 8 humbje.
Sa i përket ndeshjes së sotme, Tedi Cara do të hapte rrugën e rrjetës në minutën e 35, ndërsa Matondo lëshoi një predhë që u ndal në rrjetë në 41. Krutanët hapën lojën me golin e Mihanës në të 44, por më pas ishte radha për dy afrimet e janarit që shiheshin si zëvendësuesit e Skukës. Selmani dhe Mba arritën të realizonin nga një gol në këtë takim duke u zhbllokuar për t’i dërguar shifrat në 4-1. Menjëherë pas përfundimit të takimit, trajneri i Kastriotit, Cela, është parë shumë i mërzitur. Teksa të gjithë lojtarët shkuan në dhomat e zhveshjes, Cela u ul në stol për të ndezur një cigare. /Sport Ekspres/