Parma do të luajë në Serinë A gjatë sezonit të ri. Gjykata Federale në Itali vendosi që klubi emilian të dënohet vetëm me heqjen e 5 pikëve për edicionin 2018-2019, ndërsa dënoi me dy vjet skualifikim Emanuele Kalaio, plus 200 mijë euro gjobë për lojtarin, i cili akuzohet për trukime dhe mesazhe të dyshimta të dërguara te disa lojtarë të Specias në prag të ndeshjes së Serisë B.
Sipas përfundimeve të gjykatës, tentativa për trukime ekzistonte. Kjo u konfirmua nga mesazhet e Kalaio, që vetëm tre ditë përpara ndeshjes, e cila i dhuroi Parmës rikthimin në Serinë A kërkonte tolerim nga kundërshtarët.
Kjo është arsyeja përse sulmuesi 36-vjeçar u cilësua fajtor, ndërsa Parma qëndron në Serinë A me penalizim. Klubi emilian del gjithsesi i përfituar, sepse akuza kërkonte që ata të dënoheshin me heqjen e 2 pikëve nga sezoni i kaluar, që do t’i kthente në Serinë B, ose me të paktën heqjen e 6 pikëve, dënim i cili do të shlyhet në elitën e futbollit italian në edicionin 2018-19.
Ndërkaq, Parma ka publikuar një komunikatë zyrtare ku deklaron se nuk është dakord me vendimin e rëndë dhe mohon çdo përgjegjësi, ndaj do të apelojë në Gjykatën Federale të Apelit.