Sport Ekspres hedh dritë mbi një nga transferimet më të bujshme të viteve të fundit të një futbollisti të Superligës. Analogjia me Milinkoviç-Saviç dhe korsia e djathtë te Lacio post Marusiç
Anton Cicani
Në fillim Europa me Luftëtarin, më pas Europa me Anderlehtin. Kristal Abazaj është ngjitur në pedanë dhe pret të bëjë kërcimin e madh, edhe pse askush nuk mund ta parashikojë se si do të jetë zhytja në ujërat që kanë rëndësi Sepse, nëse në pishinën e shtëpisë dinte thellësinë e ujit, strukturën, por edhe perimetrin, në verë do të jetë një tjetër gjë Shkëmbinjtë janë të fshehur, ashtu sikurse pengesat e çdo lloj tipi. Fakti është që për mesfushorin shqiptar, tashmë në xhiron edhe e përfaqësueses kuqezi të Kristian Panuçit, okazioni i jetës erdhi pak muaj më parë, por ai menjëherë mendon për trampolinën, duke harruar pedanën Sepse, sytë i ka te një transferim big, në të ardhmen, me vetëdijen te potenciali që zotëron dhe besimin se vleërat që ka treguar në Superligë dhe te përfaqësuesja Shpresa do ti eksportojë edhe në Belgjikë. Milani është ëndrra e madhe, shprehet Abazaj, teksa të ëndërrosh nuk kushton asgjë, madje është një objektiv ose qëllim tek i cili kapesh fort. Dhe, nëse dikush mund të mendojë se me firmën te ekipi i famshëm belg në mendjen dhe psikologjinë e Kristalit ka ndryshuar diçka, nuk është kështu. Modestia, thjeshtësia dhe vullneti vazhdojnë të jenë të pranishme te ai, aq sa në Shkodër, ndaj Vllaznisë, dhuroi një gol për kopertinë. Sepse, përpos të gjithave, Abazaj dhe golat e bukur kanë një dashuri reciproke, tërhiqen, joshen dhe në fund puthen.
I domosdoshëm – Vetëm 21 vjeç, në sezonin e dytë në Superligë, pasi me Elbasanin luajti në Kategorinë e Parë, Abazaj, që ka dalë nga moshat e Dinamos dhe ka pasur edhe një të shkuar te Partizani, ka shënuar deri tani 10 gola, duke u vendosur pas Gurit, Soue, Bakajt, Rexhinaldos dhe Plakut, teksa ka luajtur 30 ndeshje, duke u zëvendësuar vetëm pesë herë. Por, nëse analizon rrjetat e tij, kupton se sa i rëndësishëm është për ekipin. Në pesë ndeshjet e fundit, ku ekipi i Luftëtarit ka grumbulluar 12 pikë të plota, duke bërë më mirë se të gjithë, ka shënuar pesë gola, të gjitha deçizive. Dhe, sikur mos të mjaftonin golat, jane edhe 2 asiste për të, i fundit ndaj Dejvi Bregut në Shkodër. Abazaj që shënon dhe që dhuron Praktikisht, miksi perfekt i një lojtari që luan në krah, por që kur duhet kalon në qendër dhe ofron superioritet numerik, duke pasur driblimin në shpejtësi armën më të fortë. Sigurisht, sa i përket fizikut çedon pak, por mosha e re kujtojmë që është vetëm 21 vjeç bën që të jetë një futbollist që mund të rritet shumë dhe të formohet, me kujdes të veçantë, pa humbur karakteristikat që e dallojnë, si shpërthimi me top në këmbë. Sepse, më pas, bëhesh objekt dëmtimesh, një fat i keq që ka përndjekur lojtarë si Pato te Milani dhe Uollkot te Arsenali.
I monitoruar nga Tare – Duhet të falënderoj drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare, sepse më ndihmoi shumë në transferimin në Belgjikë, tha përpara pak kohësh Abazaj, duke mohuar të ketë qenë fjala e Besnik Hasit deçizive. E ndërsa ai prezantohej me fanellën e Anderlehtit në prani të drejtorit sportive të Skënderbeut, Haris Fakiç, por edhe agjentit Shkumbin Qorrmemeti, në Itali dikush tjetër fërkonte duart se ndoshta mund të ketë bërë transferimin e goditur, ashtu si i ka ndodhur shumë shpesh këto vitet e fundit. Po flasim për Igli Taren, drejtorin sportiv të Lacios, shumë i kujdesshëm për talentet emergjente nëpër botë, madje edhe nga kampionate ku nuk të bie rruga të shkosh edhe kur je me pushime: Ai do të monitorojë rritjen dhe zhvillimin e Abazajt.
Nga Milinkoviç të… Milinkoviç – Një histori që i ngjan shumë Milinkoviç-Saviç, i monitoruar më së shumti te Vojvodina në Serbi por jo ende gati për ekipet big. Kështu, Tare lejoi që Genku për vetëm 1 milionë euro. Tare lejoi këtë transferim dhe vijoi duke e ndjekur me kujdes rritjen e tij, deri kur vendosi ta tërhiqte në Itali, te Lacio, për 9 milionë euro dhe me 50% të kartonit për belgët, në rast rishitje mbi atë shifër. Një klauzolë që prishte punë dhe që Tare do të zhdukte, duke paguar këtë verë edhe 9 milionë euro të tjera, duke ne çuar në total 18 mln euro blerjen e tij. Sot, serbi kushton të paktën 70 milionë euro, edhe pse ankandi do të nisë nga 80 dhe pritet të kapë shifra të frikshme. Dhe, nëse do të bënim një lojë fjalësh, atëherë historia e Abazajt është pak e karakterizuar nga emir Milikoviç. Trajneri serb i Luftëtarit, ku ai shpërtheu në sezonin e parë në Superligës, teksa tashmë përpiqet të ndjekë rrugët e Milinkoviçit tjetër, atij të Lacios.
Plani i fshehtë – Që Igli Tare zotëron tashmë kartonin e Abazajt, kjo është diçka që nuk mund të mbyllësh sytë, sepse nëse drejtori sportiv i Lacios bisedon me drejtuesit e Anderlehtit dhe garanton ai, atëherë diçka po “gatuan”. Abazaj, që është blerë nga belgët për gati 700 mijë euro (edhe pse shifra zyrtare nuk janë publikuar ende), shumë shpejt do të prekë një tjetër vlerësim, nëse vazhdon në rrugën e modestisë dhe vullnetit të hekurt. Dhe, Tare, që në Belgjikë ka ndërtuar një monopol talentesh, duke koordinuar çdo kontakt me klubet e kampionatit, do të presë momentin e duhur që të afrojë Abazajn te Lacio. Pikërisht sipas asaj që ka zbuluar Sport Ekspres, pas transferimit të Abazajt në Belgjikë fshihet Tare dhe, edhe pse jo me letra, ai është agjenti i shqiptarit, me gjithë gëzimin e Qorrmemetit, apo edhe atij që e ka ndihmuar, pra Elton Marini. Abazaj, ashtu si ndodhi me Berishën kur la Kalmarin dhe kthehu fjalën e agjentit të tij, Raca, duke Iu bashkuar Tares te Lacio dhe prishur parakontratën me Kievon, pret të jetë shqiptari i radhës te Lacios, pas Canës, Berishës dhe Strakoshës. Sepse tashmë, fjala e Tares, është ligj në merkaton e Lacios. Dhe, investimi te Abazaj nuk do të ishte më shumë se 5 milionë euro, thërrime për bardhekaltërit.
Post Marusiç – Lacio që synon Champions, por sheh edhe bilancet, aty ku tashmë mund të buzëqeshin, pasi këtë verë priten shitje big, ndërsa në të ardhmen të tjera parashikohen. Si ajo e Marusiç, i cili u ble këtë verë nga Ostende për vetëm 6,5 milionë euro. Dhe, gjejeni pak: Historia e tij ngjan me Milinkoviç-Saviç. Marusiç luante në Serbi me Vozdovaç dhe aty Kortrijk e dalloi duke paguar me nxitim 450 mijë euro. Pas shpërthimit të Kortrijk, Ostende investim 1 mln euro dhe e siguroi, teksa më pas Tare ndërhyri dhe e mori në Itali. Sot, Adam Marusiç po rritet dita ditës. Por, doni të dini rolin ku luan? Pikërisht mesfushor krahu i djathtë, ashtu si Abazaj. Mund të jenë të gjitha rastësi, por kur është Igli Tare në mes, asgjë nuk është rastësi