Parashikimi i “Sport Ekspres”/ Mund të jetë kënga e fundit e “gjelave“, anglezët nisin “It’s coming home“

Çerekfinalet e Kupës së Botës mbyllen me një super sfidë si Francë-Angli. Dy Kombëtare pretendente për të ngritur trofeun ballafaqohen me njëra-tjetrën, por fatkeqësisht vetëm njëra do të mbërrijë në gjysmëfinale. Një përballje titanësh, ku përpos peshës së rëndë të fanellave respektive, një numër i lartë yjesh e talentesh do të argëtojnë sportdashësit.

Franca ka bërë më së miri detyrat e deritanishme në këtë Botëror, teksa ka marrë rezultatet e kërkuara në ndeshjet që ka pasur në dispozicion. Përjashtim bën ajo përballje me Tunizinë, por në atë moment Deshamp hedh në fushë formacionin e dytë, duke qenë se kualifikimi ishte siguruar. Por ajo që vihet re është se Franca nuk ka pasur përballë asnjë kundërshtar të madh, me të cilët do të vërtetonte fuqinë e saj.

I vetmi i ekip që kishte cilësi të lartë në organikë ishte Danimarka, e cila në këtë kompeticion ishte në periudhën e saj më të dobët. Megjithëse në ditën e saj më të keqe, Kombëtarja daneze ia doli t’i shkaktojë probleme mbrojtjes franceze. Madje me pak fat rezultati mund të ishte në favor të tyre. Një fakt që provon se “gjelat” nuk janë të pathyeshëm, pavarësisht se deri më tani është krijuar përshtypja e një ekipi që mund të shkelë këdo falë fitoreve me Australinë dhe me Poloninë.

Në krahun tjetër Anglia përfundoi grupin e saj në vendin e parë, duke bindur me paraqitjet e bëra. Në raundin e parë me eliminim direkt “tre luanët” skualifikuan Senegalin me një fitore të pastër 3-0, madje duke kursyer edhe energji përballë kampionëve të Afrikës. Energji të cilat do i nevojiten së tepërmi mbrëmjen e sotme.

Anglia deri më tani numëron 12 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar, çka garanton siguri si për suksesin e sulmit, ashtu edhe për qendrueshmërinë e mbrojtjes. Sa i përket Francës, ajo ka një golavarazh 9-4, diçka më keq se ishullorët. Në ballafaqimet me njëra-tjetrën Anglia qendon më e avantazhuar, teksa numëron 17 fitore, 5 barazime dhe 9 humbje (duke përfshirë edhe takimet miqësore) kundrejt trikolorëve.

Mbape, Zhiru, Dembele apo Grizman janë lojtarë që mund të shkaktojnë panik për çdo kundërshtar, por në prapavijën e Anglisë gjenden lojtarë me mjaft eksperiencë. Për të vijuar më pas edhe me sulmin, ku Kejn, Foden, Grilish, Sterling etj. janë gjithnjë të rrezikshëm sapo i afrohen zonës së rreptësisë. Kënga e “gjelave” po vjen drejt fundit për t’i lënë vendin “It’s coming home” të anglezëve. Ecuria e Anglisë në kompeticione madhore ka qenë gjithnjë në ngritje, ku pas gjysmëfinales në Kupën e Botës 2018, finales së Euro 2024, tashmë vjen mundësia për të dëshmuar se ky ky brez mund ta kthejë futbollin atje ku lindi, në Angli./Sport Ekspres/

Parashikimi i “Sport Ekspres”: Kualifikohet Anglia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *