Paradoksi i Ilir Dajës te Partizani! Shikimi përtej që nuk funksionon në Shqipëri, ja se çfarë tregoi ky rast

Ilir Daja nuk është më trajneri i Partizanit. Megjithëse mungon vetëm zyrtarizimi i këtij vendimi, është mësuar gjithçka sa i përket të ardhmes. Por çfarë tregoi në të vërtet ky rast? Arsyet për të mbërritur deri në ndarjen e rrugëve ishin të shumta.

Pikësëpari ishin rezultatet që nuk po flisnin në favor të Partizanit, për më tepër që investimet dhe afrimet në merkato ishin cilësore, të paktën në letër. Ndërkohë trajneri e kishte humbur besimin e disa lojtarëve dhe harmonia në skuadër mungonte.

Por le të kthehemi pak pas në kohë, në momentin kur Ilir Daja u afrua dhe zyrtarizua te Partizani. Asokohe kryeqytetasit vinin pas performancave të dobëta dhe i kishin zhgënjyer keqazi tifozët. Skuadra ndodhej me merkato të bllokuar dhe gazetarët do të habiteshin disi me objektivin e vendosur nga Olsi Rama.

Ky i fundit zgjodhi një projekt dhe model tërësisht të jashtëm, që nuk dëgjohet në Shqipëri. Me trajnerin më të mirë të Superiores në drejtim dhe me një klub të madh si Partizani, nuk duhej të flitej për titullin. “Jo, nuk është objektivi titulli. Ne duam vetëm që Partizanit t’i rikthehet identiteti, t’i kthehet loja e bukur, të ketë këtë fytyrë”, do të shprehej Rama.

Pra tek të kuqtë ishin të gatshëm që ta sakrifikonin sezonin e kaluar, për hir të modelit që duhej krijuar për të ardhmen. Vërtet paradoksale situata, teksa pikërisht në atë vit që duhej të sakrifikohej, Partizani ishte fare pranë titullit kampion.

Ndërsa në këtë vit kur ekipi duhej të ishte më tepër gati për t’u shfaqur si konkurrues për titullin kampion, në fakt ka ndodhur e kundërta, u devijuan tërësisht nga rruga. Në fundin e kësaj historie, mesazhi që u mor ishte fakti se shikimi përtej nuk mund të funksionojë në Shqipëri, kurrsesi. Ndryshe nga ekipe apo Kombëtare të mëdha në Europë që zgjedhin të sakrifikojnë vite e vite të tëra për të ndërtuar modelin e suksesit të tyre, në vendin tonë nuk mund të përsëritet e njëjta gjë.

“Fytyra e bukur” nuk ka asnjë rëndësi të vetme para “shëmtisë” që ofrojnë rezultatet. Askush nuk interesohej për statistikat që ofronte skuadra e Partizanit, në një moment që rezultatet flisnin hapur kundër tyre. Për më tepër që edhe vetë ambienti rëndohet me tifozët që dalin kundër dhe lojtarë që revoltohen, për të prishur të gjitha planet. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *