Hamdi Salihi ishte i ftuar në lidhje “Skype” në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Ndihmës trajneri i Kombëtares është shprehur se Shqipëria duhet t’i ketë të gjithë lojtarët për këto ndeshje të rëndësishme të kualifikueseve të Europianit. Pavarësisht llogarive që nisin duke treguar Brojën, Asllanin dhe Gjimshitin, nuk duhet harruar që dëmtimet na kanë penalizuar.
“Jemi të gjithë një mendje, që nuk jemi ende në rrugën e duhur për tu përballur me ekipe të mëdha, si Franca dhe Spanja. Me Poloninë dhe Çekinë janë ndeshje për tu luajtur. Kemi lojtarë të mirë dhe mund të bëjmë ekip të mirë. Mos të harrojmë, që lojtarët e mirë që kemi, të mos na mungojnë për ndeshjet vendimtare. Nëse i kemi lojtarët, mund t’i luajmë këto ndeshje.
Ne në letër, kur i marrim lojtarët, njëri luan te Chelsea, tjetri te Interi, tjetri te Atalanta, por kur vjen ndeshja, ne shikojmë nëse i kemi apo jo këta lojtarë. Kur jemi në vazo të tretë, kushdo që do bjerë, do jetë më lartë. Ekipe si Franca, Anglia, Spanja, nuk të lejnë histori dhe shyqyr i evituam. Me këto ekipe tani, do i luajmë deri në fund.
Nuk kam kontaktuar ende me trajnerin Reja. E kam thënë edhe më parë, nëse të gjitha gjërat janë në kohën dhe në momentin e duhur, ne mund të bëjmë më mirë. Mos harrojmë se jemi Shqipëria dhe e kemi të vështirë për tu bërë një ekip që dhuron spektakël në fushë. Në eliminatoret e kaluara, arritëm të konsolidojmë mbrojtjen, se kishim probleme. Tentuam në Ligën e Kombeve, që të fusim cilësi.
Nuk kam menduar asnjëherë për të ardhmen, mendoj sot për sot. Mendojmë për ndeshjen e radhës. Si do vijnë gjërat nuk e di. Unë e kam thënë që do të vazhdoj të merrem me sport. E kam bërë me kënaqësi dhe dëshirë të madhe punën në Kombëtare”, tha Salihi. /Sport Ekspres/