Para borxh edhe në Slloveni? Idrizi: Le të shkojnë në gjyq!

Një kompani e huaj i ka shkruar ambasadës shqiptare në Slloveni për një borxh të Flamurtarit dhe Vllaznisë. Vjen edhe reagimi i administratorit të vlonjatëve

Elton Nika

E pamundur që futbolli shqiptar të funksionojë në mënyrë korrekte. Shpenzojmë miliona euro në vit, firmosim kontrata absurde, me futbollistë që paguhen deri në 10.000 euro në muaj dhe pastaj plasin gjyqet kur klubet nuk tregohen korrekte në paga. Thuajse të gjitha klubet në Superiore kanë probleme me borxhe të vjetra, por nuk e dinim që ekzistonin edhe borxhe të pashlyera jashtë Shqipërie. Te paktën kështu pretendon një kompani sllovene që ka organizuar kamping dhe ndeshje miqësore për Flamurtarin e Vllazninë, në vitet 2015 e 2016.
Borxhe të vogla, pak mijëra euro, por që nuk janë shlyer që atëherë dhe tashmë është njoftuar edhe ambasadori shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi, për të ndërhyrë.
DOKUMENTI
Një shkresë e 23 tetorit të vitit 2017 ka dalë në dritë. Drejtori i kompanisë B4Sport, Zinka Peterlin, ka njoftuar për ngjarjen në fjalë ambasadorin Qazimi dhe sa duket pasi çështja nuk po merrte drejtim, ka vendosur ta bëjë publike gjithçka. Në dokumentin e publikuar thuhet se Vllaznia i detyrohet kësaj kompanie 1600 euro për organizimin e katër ndeshjeve miqësore, ndërkohë që vlonjatët kanë një shumë më të madhe, pasi kanë pasur të përfshirë edhe hotelin, kampingun stërvitor dhe pesë ndeshje miqësore. Flamurtari ka mbetur pa paguar 2623,73 euro nga 32521,73 euro që i detyrohej kompanisë në total (sipas pretendimeve të B4Sport). Veç kësaj ata sqarojnë në shkresë se kanë bërë disa herë kërkesa në këto klube që të paguhen, por asgjë nuk ka ndodhur.
REAGIMI I IDRIZIT
Administratori i Flamurtarit, Shpëtim Idrizi, është kontaktuar nga gazeta dhe ka dhënë versionin e tij, teksa kërkon nga kompania B4Sport që të kontaktojë klubin dhe jo të veprojë në rrugën që ata kanë ndjekur. Gjithashtu si thekson se janë të hapur të përballen në gjyq me ta. “Përpara se ta publikojë media online lajmin, duhet të verifikojnë. Në fillim e nxorën vlerën 32 mijë euro, më pas 2600 euro dhe këtu ka një keqkuptim të madh. Zotëria ndërmjetës që i drejtohet ambasadës nuk ka pse vepron kështu, por duhet t’i drejtohet klubit ose mua personalisht, pasi ne nuk kemi shkuar atje me ambasadë. Jam i hapur, zotëria le t’i drejtohet gjyqit, por duhet të bëjë publike edhe faturat. U premtua për një hotel me pesë yje dhe për ndeshje miqësore, por në fakt ishte një hotel me më pak se tre yje dhe që me katër vetë që flinin në një dhomë papafingo. Gjithsesi zotëria në fjalë është i lirë t’i drejtohet gjyqit dhe aty shihen të gjitha”, ka thënë Idrizi për “Sport Ekspres”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *