Panuçi, të sulmosh nuk do të thotë të mos mbrosh!

0

Në një anë një skuadër relativisht shumë e re, me talente dhe lojtarë shumë premtues në fushë, në anën tjetër një skuadër që në letër duhet të bëjë namin, por që në fushë “bëri nanin”, për të marrë shprehjen e famshme… E nisëm me skemën 4-4-2 dhe më pas kaluam te 4-3-3 dhe në fund fare, konfuzion total me katër sulmues. Atëherë, nëse një nga këto skema do të jepte sinjale, sigurisht që do të thonim “ok, të paktën provuam”, por fakti është që asgjë nuk u kuptua dhe, çfarë është më e keqja, mbretëroi konfuzioni.

Kristian Panuçi erdhi si shpëtimtari i kombit duke thënë se unë nuk do të bëj lojën e De Biazit, kemi ide të ndryshme, por harroi të thoshte se me De Biazin, në asnjë miqësore nuk kemi pësuar kurrë 3 gola dhe, për më tepër, kemi luajtur në maksimum. Pas Norvegjisë, me Kosovën, Shqipëria vazhdon të tregojë se nuk ka motivim dhe dëshirë… Ndoshta, gjërat do të ndryshojnë, por mesa duket, trajneri duhet më shumë punë dhe pak fjalë, sepse tashmë jemi ngopur me deklarata boshe dhe me premtime të tipit “kemi grupin më të mirë dhe synojmë Europianin”…

Kështu, me këtë mentalitet, Europiani është një ëndërr, edhe pse dikur e realizuam dhe ndoshta kjo është ajo që ka vendosur alibinë e artë…

Duke iu kthyer skemës taktike dhe zgjedhjeve, fakti është vetëm një: çfarë po ndodh me mbrojtjen? Kosova mund të na kishte shënuar 4 apo 5 gola shumë thjeshtë, sepse prapavija jo vetëm që nuk kishte mbulim në mesfushë, por ishte totalisht jo në sintoni dhe pa ekuilibër, teksa në fushë ishin ata që shihen si e ardhmja, pra Gjimshiti, Hysaj, Veseli dhe Lika, edhe pse në krah të majtë jemi ende karentë. Jo vetëm kaq, por Panuçi ka ndërtuar një kombëtare që sheh vetëm në sulm dhe nuk e ka ndër mend farë të jetë e bashkuar dhe e shkurtër, për të mbyllur aksionet kundërshtare…

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.