Opinion nga Ergys Luga, trajner në grupmoshat e Kamzës
Kur luan ekipi kombëtar, vëmendja e gjithë shqiptarëve është më e përqendruar më shumë se kurrë tek futbolli dhe të gjithë përfshihen në diskutim para e pas ndeshjeve, në lidhje me lojtarët e grumbulluar, rezultatet dhe lojën. Ndeshja me Skocinë nuk dihet se sa pasoja psikologjike mund të lërë tek lojtarët dhe tek stafi drejtues në ndeshjet në vazhdim, me të kryqëzuarin Panucci i cili ishte realist në deklaratën e tij në përfundim të ndeshjes, kur e pranoi se kemi shumë probleme dhe se ai ka përgjegjësi, në të mirë e në të keq. Sfida e fundit kishte tjetër pamje, ndoshta strategjia e trajnerit ishte të përdorte kundërsulmin, kundër një Skocie superiore fizikisht. Ndryshe nga ndeshja me Izraelin, ku deri diku funksionuan tranzicionet e mesfushës, finalizimi i sulmuesve ishte i pasaktë, një gangrenë e vjetër e Kombëtares sonë gjithashtu në kohën e De Biazit.
Patjetër, kur analizojmë një ekip kombëtar duhet që të jemi realistë dhe të kthejmë “pushkën nga vetja”, sepse problemi është më i gjerë se thjesht faji i trajnerit. Fanellën kuqezi e veshin edhe kombëtaret e brezave si U21, U19 e U17, të cilat gjithashtu u përfaqësuan në mënyrën më negative. Të katërta skuadrat kombëtare pësuan disfatë në ndeshjet e tyre përkatëse. Kjo është humbje e madhe për futbollin tonë, për ne trajnerët që punojmë çdo ditë, për median, federatën e me radhë.
S’mundet gjithmonë të analizojmë ekipin A, sepse së pari grupmoshat janë në ditët e tyre më negative. Para disa ditësh kombëtarja U21 me lojtarë të afirmuar në arenën ndërkombëtare ia hodhi paq në Spanjë, duke u mundur “vetëm” 3-0 dhe statistikat treguan vetëm një goditje në portë për tanët, kundrejt statistikave të frikshme në qarkullimin e topit për spanjollët. Kombëtarja U17 u mund nga kombëtarja e talentuar kosovare në Elbasan Arena.
Goditje tjetër të rëndë pësoj Kombëtarja U19, 1-4 kundër Islandës, dhe përveç penalltisë nuk na dhuroi emocion tjetër, si në qarkullim topi, ashtu dhe me ndërtimin e aksioneve.
Ku po shkojmë? Cili ekip është e ardhmja? Përpara se t’i bëjmë këto pyetje lindin dy pyetje të tjera, që cilido mund t’i bëjë… A mos ndoshta është Kombëtarja e re e Kosovës që po na prish punë në grumbullimin e elementeve të rinj dhe po na nxjerr në pah gjithë mangësitë tona? Mos ndoshta duhet të hedhim sytë nga kampionati ynë për të plotësuar boshllëqet në kombëtaret e moshave?
Pa iu futur realitetit shqiptar se si funksionojnë gjërat te ne, mundet thjesht t’i hedhim një sy Besës U17, Vllaznisë U19 e akademive të tjera të zonës së Tiranes ose Vlorës, ku me të vërtetë përballjet ndërmjet tyre të ngjallin emocione dhe sheh lojtarë me perspektivë.
Pse gjithmonë vëmendja jonë për të kompletuar ekipet kombëtare duhet të jetë e përqendruar jashtë vendit?! Jam i bindur që e kemi elementin e duhur brenda Shqipërisë, nëse punohet me të.
Ka ardhur koha që rregullat të ndryshojnë. Me pak punë mund t’ia dalim në gjetjen e elementit dhe në kampionatet tona, ku konkurrenca dhe talenti vendas nuk mungojnë, por mungojnë infrastruktura dhe puna profesioniste, duke nisur nga klubet e deri tek federata.