Sokol Haxhia ishte i ftuari i radhës në “Soccer Talk Podcast”. Në një bashkëbisedim me Skënder Gegën, menaxheri shqiptar ka treguar për karrierën e tij në tregun e transferimeve dhe vështirësitë që has me produktin vendas të Shqipërisë. Përpos rolit të luajtur për emërimin e De Biazit në krye të Kombëtares shqiptare, Haxhia ka asistuar edhe në transferimin e Panuçit dhe të Rosit, trajnerit të Kombëtares së Hungarisë. Sa i përket lojtarëve shqiptarë, ai është shprehur duhet të jenë më të gatshëm psikologjikisht për të përballuar një kalim cilësor në karrierë.
“Panuçin e kam njohur kur kam shitur Vajushin te Livorno. Ky ishte trajner i Livornos. Ma kërkoi si nder, sepse Vajushi ishte në Serinë A te Kievo, kurse Livorno ishte në Serinë B. Ishte i dashuruar pas Vajushit. Kur e kishte kontaktuar Federata (për trajner të Kombëtares) më tha t’i shikoja njëherë kontratën. Por nuk kam dalë në skenë. Kam asistuar në transferimin e Rosit, trajnerit të Hungarisë, kur ka qenë te Budapest Honvedi.
Tregu shqiptar? Ju e shihni vetë që 60-70% e lojtarëve që ne shesim, na kthehen mbrapsht. Kjo, për ne që jemi të sektorit, na e bën punën shumë të vështirë. Edhe në rastin tim, kur çova Hykën te Majnci. U paguan shumë lekë, Hyka pas dy vitesh përfundoi te Tirana. Iku tani Skuka. U paguan gjithë ato lekë, pas një viti u kthye te Partizani. Kam kuptuar një gjë: Direkt nga kampionati shqiptar nuk mund të ikësh dhe të luash në 7-8 kampionatet elitare të Europës. Është gati e pamundur. Një nga Superliga shqiptare edhe në Serinë B italiane e ka të vështirë për shkak të ritmit dhe intensitetit të lojës. Nuk janë gati fizikisht dhe nuk janë gati sidomos nga truri. Shkojnë dhe duan të jenë titullarë. Nuk e kanë atë thjeshtësinë për të vuajtur 6 muaj apo 1 vit. Më ka ndodhur edhe mua me lojtarë që pas viti kanë dashur të kthehen mbrapsht”, ka thënë Sokol Haxhia./Halit Delibashi-Sport Ekspres/