Pas ndeshjes me Skocinë, trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi ishte dukshëm i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij. Ndonëse në dhomat e zhveshjes toni i kritikave ka qenë i lartë, edhe para medieve nuk nguroi aspak që të vinte në bankën e të akuzuarve mbrojtësit e tij. Edhe pse në prezantimin, kur u bë pjesë e Shqipërisë vuri theksin se do shohim një skuadër sulmuese dhe agresive, në Gllazgou u kuptua nga ana e italianit se Shqipëria kishte shumë probleme në mbrojte.
Skocia ishte më lart se Shqipëria dhe na vuri shumë në vështirësi, aq sa krijoi plot 17 raste për të shënuar. Në disa raste Strakosha, në disa raste të tjera fati, por dhe mungesa e saktësisë së vendasve e shpëtoi portën e kuqezinjve në shumë raste. Gjithsesi, ai që kërkon shpërblehet dhe skocezët na ndëshkuan dy herë. Ka shumë vend për analiza në repartin e mbrojtës, si përshembull që të dyja harkimet që sollën golin erdhën nga krahu i djathtë dhe ishte një skemë që rezultoi në dy raste e suksesshme, por meqë trajneri i ka pikasur këto gabime, të shohim pak më para, atje lart në sulm.
Shqipëria e pjesës së parë ishte shumë e ndrojtur dhe e kishte shumë problem që të ngacmonte portën e kundërshtarit, edhe pse para ndeshjes ishte theksuar me shumë bindje se do të kërkoheshin tre pikët në këtë ndeshje. Dy tentativa jashtë të Balajt dhe dy goditje qendrore të Lilajt ishin shumë pak për Shqipërinë sulmuese dhe që donte 3 pikët.
Panuçi duket se e ka shumë problem të krahasohet me epokën e De Biazit aq sa kur është ai në stadium, duket sikur është dikush që i shton presionin, por nuk duhet ta ketë problem aspak, pasi nëse në të shkuarën në mbrojtje të paktën nuk kishim probleme, sot po shohim që jo vetëm pësojmë gola dhe na depërtojnë lehtësisht kundërshtarët, por nuk po arrijmë dot që të bëjmë mirë dhe në fazën sulmuese, aty ku u premtua se do të kishte mrekulli.