Sparta e Pragës ka pasur shumë luhatje rezultatesh në këtë sezon. Disa humbje në kampionat kanë bërë që Sparta të jetë në vendin e 3, me 13 pikë më pak se Slavia kryesuese. Një diferencë e madhe për skuadrën e Spartës që u kurorëzua vjet me titullin kampion. Siç dihet në këtë ekip ndodhen disa lojtarë shqiptarë si Qazim Laçi, Ermal Krasniqi, Indrit Tuci, Albion Rrahmani. Qazim Laçi ishte lojtari i parë që shkoi te Sparta dhe më pas hapi rrugën edhe për të tjerët.
Por në momentin e krizës, gjithçka shpërtheu edhe tek tifozët e Spartës. Çekët nuk kanë një dashuri të madhe për shqiptarët dhe kjo dihet tashmë. Në media qarkulloi lajmi se lojtari i Spartës së Pragës, futbollisti i Serbisë, Birmancevic, i kishte thënë drejtuesëve të klubit se nuk dëshironte më të luante me kaq shumë lojtarë shqiptarë.
Drejtuesit e përjashtuan për disa ndeshje nga ekipi, ndërsa tifozët e Spartës i dolën me banderola në mbështetje serbit dhe kundër Shqipërisë, duke thënë se Kosova është Serbi. I menjëhershëm ishte reagimi i Albion Rrahmanit, që nëpërmjet një postimi, tregoi se Kosova është Shqipëri.
E gjitha kjo duket se tanimë i përket së kaluarës pasi futbollistët kanë një tjetër raport me njëri-tjetrin. Në ndeshjen e sotme mes Spartës së Pragës dhe Jablonec, në majën e sulmit ishin pikërisht dy sulmuesit në fjalë, serbi Birmancevic dhe shqiptari Albion Rrahmani.
Në fillim miqtë kaluan në avantazh, më pas Rrahmani barazoi me asistin e Qazim Lacit. Një skenë vërtet bukur ndodhi në minutën e 63 të ndeshjes kur u dëmtua Albion Rrahmani. Serbi Birmancevic dhe Qazim Laci, shkuan për të mbajtur në krahë Rrahmanin dhe për ta nxjerrë jashtë fushës së blertë sa më shpejt të ishte e mundur në mënyrë që të kërkonin golin e fitores.
Nga krahu tjetër Rrahmani qëndronte i mbështetur pikërisht edhe te futbollisti serb, me një të kaluar jo pak të ndezur mes tyre. Pasi kanë parë saktësisht fytyrat e lojtarëve që ishin protagonist në këtë moment, e gjithë pjesa ballore e stadiumit të Spartës së Pragës është ngritur në këmbë duke duartrokitur pasi e dinë fare mirë që një moment i tillë është jo pak i rrallë. /Sport Ekspres/