Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, e ka të qartë se në këtë moment përballja me Teutën është mjaft e vështirë, duke parë nevojën e durrsakëve për pikë, por edhe faktin që Teuta fitoi ndaj Partizanit fundjavën e shkuar: “Kam respekt për çdo kundërshtar, natyrisht edhe për Teutën. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë dhe na duhen pikë, por edhe Teutës i duhen pikët. Kanë më shumë për të humbur se ne, duke qenë në garë për mbijetesën, ndaj pres një ndeshje shumë të vështirë, ndaj një rivali që arriti një fitore të madhe ndaj Partizanit dhe tregoi se në futboll është e mundur gjithçka. Gjithsesi, përtej nevojës së Teutës për pikë, unë nuk ka nevojë t’i motivoj në mënyrë të veçantë lojtarët. Çdo profesionist duhet të dijë se për çfarë punon dhe për çdo ndeshje duhet të jetë i motivuar”.
Duke qëndruar te befasitë, Pakult është habitur nga humbja e Skënderbeut në Laç: “Në Laç është e vështirë të luhet, por ishte për t’u habitur që një ekip si Skënderbeu të kalojë nga 2-0 në 2-3”.
E ardhmja: “Nëse arrijmë Europën, besoj se kontrata vazhdohet. Mendoj se nuk ka arsye pse të mos vazhdohet, jam me shumë kënaqësi këtu dhe shpresoj që të bëjmë gjëra të mira. Kemi zhvilluar biseda në javën e kaluar me presidentin dhe kemi biseduar për shumë gjëra. Një ndër to është të kemi më shumë vazhdimësi, të mos ketë shumë lëvizje çdo gjashtë muaj. Në çdo rast marrim shembull Skënderbeun që ka pasur ecuri të mirë”.
Europa në horizont: “E theksoj që në bisedat që kemi pasur me presidentin, është folur qartë që presidenti është i gatshëm të vazhdojë këtë rrugë. E dimë që është klub i ri dhe ka dëshirën të vazhdohet në këtë drejtim. E theksoj që për çdo gjë duhet që ekipi të ketë mundësi financiarisht, po arriti pastaj në grupe është shumë mirë se të gjithë i dimë përfitimet që vijnë pas tyre. Kemi një detyrë shumë të madhe përpara, se po vjen merkato dhe duhet të sjellim lojtarë që bëjnë diferencën dhe rrisin paraqitjen e ekipit”.
Danilo Alvesh në treg: “Jemi të befasuar në këtë moment që është një lojtar i lirë. Do të kemi bisedime, pasi është një lojtar interesant për shumë ekipe”.
Guri: “Dua të sqaroj diçka: Nuk i kam sugjeruar asnjë kampionat Gurit, por kam pasur një bisedë me të dhe i kam treguar ekipet që janë interesuar për Gurin. Po e shoh atë edhe në stërvitje dhe ai ka një situatë të re dhe kjo nuk është diçka e mirë, pasi ai nuk e di se ku do të jetë e ardhmja. Dua që Guri mos të ketë presione të ndryshme në këto 4 ndeshje të mbetura por të mbajë këtë rrugë që ka dhe të arrijë të nxjerrë më të mirën e tij. Mërzitemi që do të largohet një lojtar me shumë peshë, por gëzohemi sepse klubi do të përfitojë financiarisht. Guri nuk duhet ta shohë këtë si sukses individual, pasi ka kontribuar ekipi dhe për këtë duhet t’i ftojë të gjithë në një drekë nëse largohet. Këtë herë ai nuk do të shpëtojë me pica”.