Një ndeshje e çuditshme ajo e djeshmja mes Flamurtarit e Laçit, sepse realisht sishte shumë e qetë dhe pati pak momente nervozizmi mes lojtarëve, por nervozizmi ishte i madh mes lojtarëve të Flamurtarit dhe arbitrave. Ndërkaq, pati shpesh ndërprerje për dëmtime, disa prej tyre me lojtarë të shtrirë në tokë për minuta të tëra.
– I pafat Rexhinaldo, kur në pjesën e dytë u përplas kokë më kokë me Sidiben. Mesfushori i Flamurtarit ishte më “kokëforti”, sepse u kthye në fushë normalisht pas kurimit, ndërsa Rexhinaldo tentoi, por kur po bëhej gati të rifutej, kishte marrje mendsh dhe nga nervozizmi plasi shishen e ujit në tokë. Në ndihmë të mjekut të Laçit shkoi edhe mjeku i Flamurtarit dhe pas një konsulte të gjatë u kuptua që Rexhinaldo kishte marrë një goditje shumë të fortë dhe u thirr ambulanca, për ta çuar sulmuesin afrikan me urgjencë për kontrolle të detajuara mjekësore. Gjithsesi, pas ndeshjes u mësua se sulmuesi nuk ka pasur asgjë serioze.
– Stafi i Flamurtarit, ai i ndeshjes së shkuar, ishte i tëri në tribunë. Trajneri Ardi Behari ishte i pezulluar, ashtu si trajneri i portierëve Luan Birçe, Vasil Ruci e Ardi Ciruna. Të gjithë ishin shumë aktivë, me trajnerin Behari që dëgjohej në gjithë stadiumin, për shkak se ishin shumë pak tifozë, por herë pas here flisnin edhe anëtarët e tjerë të stafit. Pas ndeshjes Behari ishte më i dëshpëruari, natyrshëm, pasi për të tretën ndeshje rresht nuk arrin të marrë rezultatin që priste dhe meritonte.
– Trajner i Flamurtarit dje ishte Petraq Bifsha. Edhe veterani i stolit vlonjat pati një moment fërkimi me arbitrin, i cili ndali lojën dhe shkoi t’i tërhiqte vëmendjen. Aq u desh që të nisnin batutat në stadium, duke bërë humor me arbitrin: “Nxirre me të kuqe”, “Godite Petraq”.
– Kapiteni i Flamurtarit Tomisllav Bushiç dje mbante numrin 5 në fanellë. Zgjedhje e çuditshme, por jo diçka e re për kroatin, që deri tani kishte mbajtur numrin 9 në fanellë, por vetëm për këtë sezon, sepse sezonin e shkuar kishte veshur fanellën me numër 5, 8, 9, 13 e 14.
– Skenë për të ardhur keq rreth minutës së 60-të, kur braziliani i Flamurtarit Zhufo kreu një pasim të gabuar në sulm dhe disa tifozë nisën të kërkonin ndërrimin e tij. Petraq Bifsha i dëgjoi, duke zëvendësuar menjëherë brazilianin, i cili në fakt nuk shkëlqeu. Gjithsesi, nuk është normale që tifozët të merren me çështjet teknike dhe për më tepër trajneri t’i dëgjojë.
– Sinan Idrizi nuk kishte shkuar në Elbasan, ndërsa homologu i tij Pashk Laska u paraqit pak me vonesë në stadium.
– Ndër momentet më të veçanta të ndeshjes ishte kur i riu Zogaj shmangu disa herë Siljanovskin me disa lëvizje të bukura me trup dhe mbolli panik afër zonës vlonjate. Grupi i vogël i drejtuesve dhe tifozëve të Laçit shpërthyen në ovacione.
– Edhe pse po niste të errësohej, në “Elbasan Arena” nuk u ndezën dritat e stadiumit.
– Trajneri Mezani për takonte lojtarët sapo mbaroi ndeshja dhe i tha “Bravo” edhe Bushiçit, por kroati i pezmatuar iu kthye: “Po çfarë bravo, sikur fituam”.
– Duke dalë nga fusha në përfundim, në nerva e sipër Bicaj bërtiti: “Dy penallti për ndeshje nuk na japin sa herë luajmë kundër Laçit. Nuk ka mundësi!”.