Pacini bën për spital Realin, nuk ka shërim

Skuadra madrilene nuk i bën dot tri fitore radhazi dhe ndalet 2-2 nga Levante. Zidan në mëshirë të fatit, vetëm PSG e shpëton

Një i çmendur dje ktheu Realin e Madridit në “identitetin” që ka ndërtuar këtë sezon me duart e veta. Ai quhet Pacini, mund ta mbani mend që ka luajtur me disa skuadra dhe nga fundi me Interin, dhe zakonisht ka shënuar gola në minutat e fundit, ashtu si për Levanten në barazimin 2-2 në shtëpi. Pas dy fitoresh radhazi në kampionat, skuadra e Zinedin Zidanit kuptoi edhe një here se ky sezon mund të rezultojë si një mallkim i madh për secilin nga lojtarët. Teksa pritej suksesi i tyre i radhës, “Los Blancos” mbeten në vendin e katërt të renditjes me 39 pikë. Goli i Pacinit në minutën e 89-të prishi mbrëmjen e kapitenit Ramos, i cili është bërë mbrojtësi i vetëm në histori që shënon në 14 sezone të njëpasnjëshme të kampionatit spanjoll. Në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse goli për të është mik i përhershëm.

Dy golat e parë

Ndeshja nisi mirë për kampionët në fuqi, sepse Ramos gjeti golin pas vetëm 11 minutash lojë. Aksioni nisi me goditje këndi dhe mbrojtësi çoi topin në rrjetë për herë të 50-të në La Liga duke mbajtur veshur fanellën e bardhë. Loja po ecte mirë për madrilenët, deri kur në minutën e 42-të të pjesës së parë ata pësuan golin e barazimit nga Boateng. E pafalshme për mbrojtjen e miqve. Kështu u mbyll pjesa e dytë.

Ndryshimet

Zidan u përpoq të bënte shumë ndryshime në taktikë dhe lojtarë në 45’ e dyta, por nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Po, Ramos në minutën e 71-të mund të shënonte golin e dytë, por goditja e tij me kokë u ndal nga portieri vendës.

Isko nuk mjafton

“Mrekullia” u mendua se u arrit me golin e Iskos nëntë minuta nga fundi, por goditja me të djathtën e mesfushorit spanjoll nuk ia dha fitoren Realit. Pas vetëm 12 minutash në fushë si zëvendësues, Pacini ia ndryshoi fytyrën trajnerit Zidan me golin e shënuar “për inat të të gjithëve”. Kampionët ranë në tapet, edhe pse jo duke humbur. Për ta, sidomos tani, barazimi është humbje, disfatë, dështim, turp. Zidan e di mirë. Vetëm fitorja me PSG-në mund ta shpëtojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *