Pa plan e pa unitet, analiza e dështimit gjerman

Eliminim që në turin e parë, kjo nuk i kishte ndodhur kurrë Gjermanisë. Në Gjermani tani bëjnë gjyqin dhe kërkojnë fajtorët, duke nisur nga trajneri Lëv e më radhë.

Kapiteni i fillimshekullit, Mikael Balak, shkruan në Twitter: “Me një ekip të keq mund të eliminohesh herët, por jo me një ekip si ky që kishim në Rusi. Duhet të fillojë një vlerësim i ndershëm. Lidership? Personalitet? Mentalitet?”.

ARSYET

  • FORMA

“Ndeshja e fundit e mirë që kemi luajtur ka qenë në vjeshtë 2017”, tha më sinqeritet Mats Humels pas katastrofës ndaj Koresë së Jugut. Në vjeshtë Gjermania mundi 6-0 Norvegjinë dhe që atëherë rezultate e lojë mediokre, përjashto një baraaim re mirë ndaj Spanjës në miqësore. Edhe Nojer i sinqertë: “Është e dhimbshme dhe e turpshme, në asnjë ndeshje nuk bindëm”.

  • PA UNITET

Para Kupës së Botës duhej unitet dhe harmoni. Ajo mungoi, edhe pse Federata Gjermane doli me slogane marketingu. Fitorja ndaj Suedisë u duk sikur riktheu harmoninë, por ndaj Koresë së Jugut u pa qartë që Gjermania nuk ishte skuadër.

  • MUNGESA E LIDERSHIPIT

Manuel Nojer ishte i zakonshmi, sakrifikoi dhe u kthye në kohë për Kupën e Botës. Të tjerët nuk ishin gjëkundi, heronjtë e 2014 nuk ekzistonin. Myler e Kedira të padukshëm, Humels më shumë fjalë se punë, Ozil i mbytur nga presioni i fotove në Erdoganin, Toni Kros heroik vetëm për golin ndaj Suedisë.

  • FOTOT MË ERDOGANIN

Para Kupës së Botës Mesut Ozil dhe Ilkaj Gyndogan u fotografuan me presidentin turk Erdogan, duke i dhuruar edhe fanellë me shkrimin “Për presidentin tim”. Ndodhi në momentin e gabuar, sepse në Gjermani pati tërmet dhe dy futbollistët më origjinë turke u kthyen në armiq, duke u fishkëllyer në çdo ndeshje e duke u konsideruar të padëshiruar. Përçarje totale.

  • PA PLAN E PA DËSHIRË

“Me sa duket, nuk ishim fati të bënim histori sërish”, tha Nojer pas eliminimit, ndërsa Lëv nuk e kupton ende çfarë ndodhi. “Kisha përshtypjen se skuadra kishte gjithçka për të bërë një Botëror të mirë”. Qartësisht Gjermania kishte difekte dhe ishte shumë e ngadaltë, ndërsa lënia jashtë e Sanesë mbetet një njollë, ashtu si ndryshimet pa kriter në formacion. Nga ndeshja në ndeshje Lëv ndryshoi totalisht formacionin, pa asnjë logjike, sidomos pas fitores ndaj Suedisë, ku u duk se u gjet vendosja e duhur dhe shpirti luftarak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *