Shkëndija ka një mision mjaft të vështirë, pasi do të ndeshet me skuadrën e Red Bull Salcburg nesër në mbrëmje, takim ky i vlefshëm për raundin e tretë kualifikues të Champions League-s. Sfida e parë ka përfunduar me fitoren e austriakëve 3-0.
Edhe pse rezultati nuk është shumë shpresëdhënës, trajneri Qatip Osmani është shprehur besimplotë se skuadra e tij do të tentojë një mrekulli. Numri një i stolit është i sinqertë dhe e pranon se mes skuadrave ka diferenca, por pavarësisht kësaj në futboll beson se ka dhe mrekulli. Kujtojmë që edhe në rast eliminimi Shkëndija do të zhvendoset në Europa League, ku do të ndeshet me fituesen e çiftit Roseborg – Kork Siti.
“Edhe pse kemi rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe përkundër diferencës së thellë neve në Shkup kemi të drejtë të shpresojmë. Megjithatë ne duhet të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë. Në futboll ndodhin befasitë, kështu që Shkëndija nesër do të jetë maksimalisht e mobilizuar dhe e angazhuar për të treguar lojën më të mirë të mundshme. Mund të kemi ndryshime të vogla në formacion, problemi i vetëm është lëndimi që pësoi Murati në takimin me Vardarin. Gjithsesi në këtë moment gjithë vëmendja jonë është për sfidën me Red Bull Salcburgun, ndërsa pas takimit do të shikojmë se në çfarë drejtimi do të duhet të mendojmë për të ardhmen”.
“Të tregojmë nesër se disfata 0:3 në Austri nuk ishte real. Shkëndija është e gatshme për të treguar më të mirën. Në atë ndeshje pranuam gola përmes gabimeve tona, ndërsa rastet që i krijuam nuk i realizuam. Këtë gjë duhet patjetër ta përmirësojmë në ndeshjen në Shkup. Nuk mendojmë për Rozenborgun dhe “play-off” në Liga Europa. I gjithë përqendrimi ynë është për këtë ndeshje. Nesër neve duhet të japim maksimumin, e më pas do të shohim se çfarë do të ndodh. Do të bëjmë çmos për të fituar”.