Kosova ka marrë një rezultat shumë befasues në ndeshjen e djeshme teksa ka humbur 0-3 ndaj Rumanisë. Pritej shumë më tepër nga ana e tifozëve veçanërisht pasi Muriqi po kalon një formë spektakolare, Zhegrova po ashtu, Rashica po luan thuajse çdo ndeshje titullar te Beshiktashi dhe mesfusha u përforcua me Rexhbecajn.
Por në fund Kosova është dorëzuar totalisht ndaj Rumanisë duke humbur 0-3. I ftuar në “RTV Dukagjini”, Liridon Leci ka shpërthyer veçanërisht ndaj Milot Rashicës duke treguar se ky futbollist jep edhe shpirtin në fushë kur luan në klub, por jo në përfaqësuese.
“Duhet t’i kërcënojë dikush këta lojtarë, të futet në dhomën e zhveshjes dhe t’i thotë: “Kështu nuk luhet futboll”. Milot Rashica ka tre vite që nuk luan te Kosova mirë, kurse në ekipin e tij, “shqyhet”. Prandaj ose duhet t’i “kërcënojë sportivisht” këta lojtarë ose të mos ftohen më fare. Kështu nuk mund të luhet, është tallje me tifozët”, tha Leci. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/