Orikumi, surpriza e bukur e gjeografisë sportive

Nga: Moisi Dalipi

Me rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë dhe spostimin e skuadrës “bijë” të saj, Vllaznia B drejt Kategorisë së Dytë, për skuadrën “Oriku” erdhi në formën më të mirë pjesëmarrja në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Një objektiv ky i realizuar edhe kështu për skuadrën e trevës të Dukat–Vlorë, por i kërkuar fortë nga ana e tyre me ndeshjet e zhvilluara për dy sezonet e fundit në ndeshjet finale, vjet ndaj Tërbunit e sivjet ndaj Vllaznisë B. Ndonëse në të dyja përballjet ka dështuar, sepse dy ekipet e së Parës kanë qenë më të organizuara, madje Vllaznia e sivjetshme edhe me kualitete nga Superiorja. Gjithsesi, rregulli e kërkon që “Oriku” i rreshtuar i dyti në grupin e Jugut edhe pse humbi(4-3 me penallti në finalen e  Durrësit me Vllazninë B) ka fituar të drejtën që të jetë në sezonin e ardhshëm në “sofrën” e ekipeve të Kategorisë Parë, për herë të parën. Natyrshëm, drejtuesit, sponsorët, trajnerët, futbollistët dhe tifozët e trevës Orikum-Dukat-Tragjas e Radhimës t’i gëzohen këtij suksesi të skuadrës tyre me emrin karakteristik, “Oriku“ që e thënë qartë është emri simbol i njërit nga të paktat qytete ilire të shekullit V-VI përpara lindjes së Krishtit.

HERONJTË – I vendosur në “podin” e vlerësimit në këtë sukses kanë pjesën e tyre trajnerët që kanë kontribuar ndër vite me këtë skuadër: Sakaj, Haxhiaj e Rama, futbollistët Muho, Hoxhaj, Gjinaj, Azizaj, Metaj, Xhelili, Nurçe, Livanaj, Caushaj, Kongjoni, Dhrami, Rapaj, Qejvani, Gjipali, Lloji, Çapo e të tjerë. Larg kësaj nuk mbetën edhe  administratori i klubit Gëzim Capo, anëtarët e bordit të klubit Muharrem Jazo, Arsen Beloj dhe Agim Begotare si dhe sponsorët Muharrem Jazo, Gëzim Çapoj, Teki Xhemali, Platon Shabani, Vaso Llaguri e Bebi Selmanaj.

MERKATO DHE INFRASTRUKTURA – Këto ditë drejtuesit dhe sponsorët e “Orikut” ka nisur të mendojnë e të fillojnë nga puna për ndryshimin e pamjes dhe përshtatjen sipas kushteve të infrastrukturës së stadiumit ku zhvillojnë ndeshjet zyrtare, në qytetin e Orikumit. Kështu,  bëhet fjalë që tribunat të zgjerohen dhe të kenë mbi 1000 vende të ulura, të ketë tribunë shtypi si dhe ndryshime të tjera të domosdoshme në ambientet e brendshme dhe të jashtme, me synimin e vetëm që ndeshjet të zhvillohen në qytetin e tyre. Por jo vetëm kaq. Drejtuesit shprehen se brenda këtij muaji, do të nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm, ku nuk do mungojnë surprizat me afrime të reja, kryesisht duke ndjekur traditën me futbollistë vlonjatë.

 

Tifozët, “arma” sekrete!

Orikasit e duan futbollit, madje ata kanë vite që nuk shkojnë më në Vlorë dhe të mbështesin Flamurtarin. Ardhja e këtij sukses  për “Orikun“, natyrisht që ka gëzuar shumë tifozët vendas, prania e të cilëve ka qenë e zjarrtë dhe tepër simpatike, madje edhe në ndeshjen ndaj shkodranëve dy javë më parë në “Niko Dovana” të Durrësit.  

 

Shifra të “frikshme” dhe rekorde golash

Duke kërkuar të ilustrojmë diçka më tepër për paraqitjen e “Orikut” në sezonin e kaluar, si pjesë e skuadrave të grupit Jugut për Kategorinë e Dytë, rezulton se në 22 ndeshjet e zhvilluara ka bilancin me 18 fitore, 2 barazime dhe humbje, me golaverazhin 61-16. Tregues bindës për ecurinë e mirë të kësaj skuadre modeste, por që luan futboll me dëshirë dhe objektiv të qartë në fushën e lojës. Edhe diçka tjetër. Në pjesëmarrjen e “Orikut“ në gjashtë sezone rresht(një sezon në Kategorinë e Tretë dhe pesë sezone në Kategorinë e Dytë, kjo skuadër ka shënuar plotë 225 gola dhe ka pësuar vetëm 106 gola. Një fakt i tillë përbën konsideratë për futbollin e luajtur.

 

Moshat, mendohet edhe për të ardhmen

Klubi “Oriku” ka në strukturën e vet edhe ekipet e moshave U-17, U-11 dhe U-9 vjeç, ku trajnerët Albert Haxhiaj dhe Bledi Bozhani përgatisin brezat e ardhshëm të futbollistëve. Dhe kjo është dukuri që duhet përshëndetur, sepse ekipet e moshave marrin pjesë në kampionatet rajonale.

 

Si u krijua skuadra me ushtarë dhe rusë që luajti miqësore me Partizanin

Disa e dinë, por ka edhe nga ata që janë kuriozë dhe duan të mësojnë me kureshtje diçka më tepër rreth futbollist të kësaj treve, ku nuk mungon, as deti, as mali, as klima bregdetare e as ajo malore, falë relievit të favorshëm që kanë orikasit. Me ndarjen e re administrative territoriale janë zgjeruar akoma më shumë. Por, me të drejtë lind pyetja: si ka lindur ky ekipi futbolli që sot me drejtë mund të quhet dhe surpriza e gjeografisë sportive të futbollit tonë?! Të dhënat duan të thonë se ky klub është krijuar në verën e vitit 1955, kur një grup djemsh të kësaj zone, ushtarë të flotës detare dhe disa specialistë rusë të bazës ushtarake të Pashalimanit vendosën të krijojnë një skuadër futbolli me emrin “Oriku”, që mori pjesë në një turne futbolli të atij viti të zhvilluar midis reparteve ushtarake të vendit. Ai emër klubi u harrua për shumë vite, sepse dikujt atje lartë në ish-Komitetin Sportiv nuk e pëlqente që skuadra e futbollit e këtij “fshati” të merrte pjesë në Kategorinë e Trete. Por, djemtt e zonës futbolldashëse Orikum-Dukat-Tragjas e Radhimës, duke u aktivizuar  me skuadrat e Uzinës Pashalimanit dhe ish- N.B.Rinisë, në kampionatet lokale të asaj kohe, tregonin se dëshira për të luajtur futboll ishte e madhe dhe me vlera. Në vitin 1962 skuadra e Partizanit ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e kësaj zone, në fushën e një reparti ushtarak.

 

Krahinë me tradita në futboll, nga Vangjeli e Gjipali, te Kushta, Vito e Abilaliaj

Njerëzit e kësaj zone e duan dhe e vlerësojnë sportin, madje kanë edhe një “skuadër“ emrash sportistësh me orgjinë nga kjo zonë që kanë kontribuar fortë në vite dhe dekada për Flamurtarin dhe sportin tonë kombëtar si: Merko Vangjeli, Elmaz Gjipali, Merko Berdo, Meno Gjoleka, Iljaz Gjoleka, Faik Bejo, Gëzim Troqe, Fatmir Hysomema, Albert Hoxha, Sokol Kushta, Anesti Vito, Ardi Bozhani, Arbër Abilaliaj në futboll. Skardilajd Shyti e Veni Bode në not dhe Luan Selmani në radio-amatorizëm. Por, kjo  traditë e mirë, kjo dëshirë që qëndronte ndezur dhe do të bëhej realitet i prekshëm në majin e vitit 2013, kur ish-kryebashkiaku (sot administratori i klubit) i palodhuri Gëzim Çapoj, së bashku me trajnerin Albert Haxhiaj me atë grup djemsh të talentuar në ndeshjet kualifikuese të Kategorisë Tretë fituan të drejtën që skuadra e tyre “Oriku“ të ishte pjesë në sezonin 2013 -2014, në grupin e Jugut të skuadrave të Kategorisë së Dytë. Dhe pas plotë pesë sezoneve, “Oriku” për herë të parë në historinë e vet është ngjitur një shkalë më lartë, sepse tani është pjesë e skuadrave të Kategorisë Parë. Një sukses mëse i merituar, ndoshta edhe i vonuar i një skuadre të qyteti të vogël që këto vite po shkruan bukur historinë e saj edhe në futboll. Tani jo vetëm vlonjatët, por dhe vizitorët e turistët e shumtë, nuk do shkojnë në Orikum, në portat e Rivierës shqiptare për të shijuar ditët e pushimeve të verës dhe fundjavave, por edhe për të ndjekur e përkrahur ndeshjet e futbollit të skuadrës të “Orikut”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online