Orikumi është ngjitur këtë sezon në Kategorinë e Parë, duke realizuar një ëndërr, por në debutimin historik në nivelin e dytë të futbollit shqiptar nuk dëshiron të jetë kalimtar pa lënë asnjë gjurmë.
Qyteza e vogël bregdetare, vetëm pak minuta larg Vlorës, është një qendër turistike gjatë verës, por synon të kthehet në një qendër futbolli gjatë gjithë vitit.
Jo rastësisht, trajneri Artan Sakaj ka afruar edhe dy ish-shokë të tij te Flamurtari, Taulant Kuqi dhe Argent Halilaj, të cilët me eksperiencën e tyre shtojnë cilësinë te Orikumi dhe ngjallin interes të madh në Orikum e Vlorë.
Portieri 34-vjeçar ka goxha eksperiencë në elitë, pasi ka luajtur me Kastriotin dhe Kukësin, përveç Flamurtarit. Pak muaj te Kamza dhe tani do i duhet të luajë në të Parën. Edhe Kuqi do të bëjë të njëjtën gjë dhe vendimi për të luajtur me Orikun nuk është marrë rastësisht. Të dy lojtarët do kenë mundësinë të jenë pranë familjes. Ata do kenë mundësinë të ndihmojnë edhe të rinjtë e tjetër vlonjatë të Orikut të rriten.
Nuk mbaron me kaq, sepse në vazhdim Orikumi do të vijojë të përforcohet dhe sërish do të gjejë hapësirë për futbollistët vlonjatë që nuk bëhen pjesë e ekipit të parë te Flamurtari. Në këtë mënyrë, talentet vlonjate nuk do të kenë pse të largohen nga qyteti i lindjes, ndërsa Orikumi u bën atyre një shërbim, por edhe vetë përforcohet me lojtarë që në një të ardhme mund të shkëlqejnë në Superiore.
STADIUMI – Orikumi ka një ministadium të këndshëm, por ende jashtë standardeve për të garuar në Kategorinë e Parë. Duhen ndërhyrje të gjithanshme, që ndoshta do të kryhen deri në fund të vitit, por ndërkohë në Orikum kanë ambicie më të mëdha se thjesht plotësimi i ndonjë detyre të vendosur nga FSHF-ja.
Drejtuesit e Orikumit i kanë paraqitur një projekt kryeministrit Edi Rama, me shpresën se do të marrin ndihmën që u duhet për të ndërtuar një stadium të vogël, por modern, të paktën si ai në Pezë-Helmës, që plotëson kriteret për ndeshje kampionati e kupe deri ne Kategorinë e Parë. Në Orikum interesimi është i madh dhe një ambient i këndshëm, bashkuar me një ekip cilësor e me “brumë” vendas, nuk do ishte çudi që të bënte që ndeshjet shtëpiake në Orikum të luheshin në stadium të mbushur, edhe nëse vendosen më shumë se 1000-1500 stola plastikë.