Orges Shehi zbulon aventurën e re mes fjalëve të koduara, flet dhe për Kukësin: Nuk lexoj kurrë kontrata

Orges Shehi nuk arriti që të përmbush dëshirën e Safet Gjicit për të fituar titullin kampion në duelin me Tiranën. Megjithatë bardheblutë e kishin marrë rrugën drejt suksesit përpara se në krye të verilindorëve të vinte Shehi. Në një intervistë për “Supersport”, ish-trajneri i Kukësit ka zbuluar edhe pak sa i përket aventurës së re, mes fjalëve të koduara.

Disa kohë më parë u raportua në media se Kukësi dhe Shqipëria U-21 do të bënte një ndërrim trajnerësh, Shehi-Bushi. Një gjë e tillë nuk rezultoi e vërtetë pasi Gega u zyrtarizua në krye të verilindorëve, megjithatë Shehi shprehet se ka një ofertë konkrete, serioze dhe me plan afatgjatë, që të lë të kuptosh se bëhet fjalë për një mundësi të ofruar nga Kombëtarja.

“Personalisht jam i kënaqur me atë që skuadra ka dhënë, pasi ishte një situatë e vështirë, me ndërprerjen e kampionatit dhe më pas me dy muaj shumë intensivë, të pa jetuara më parë. Duhej të përgatisnim skuadrën, ta mbanim në tonus, të përgatisnim stërvitjen online, etj. ka qenë hera e parë që ndodhte diçka e tillë dhe na gjeti të papërgatitur, por për mendimin tim kemi fituar shumë, pasi të punosh në kushte të tilla, është një eksperiencë që të rrit shumë. Jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë.

Unë personalisht, edhe në karrierën si futbollist, nuk është se u jam referuar shumë kontratave. Ka qenë një marrëveshje xhentëllmenësh dhe unë nuk kam lexuar kurrë kontrata. Marrëveshja ishte që të fitonim një trofe, por nuk ia dolëm. Marrëveshja nuk u ndërpre, por nuk u rinovua dhe në futboll gjëra të tilla janë normale, me trajnerët që lëvizin vazhdimish.

Ka një ofertë konkrete, por nuk dua të nxjerr emra, pasi nuk më pëlqen. Është ofertë konkrete dhe serioze, që të jep mundësinë të punosh në afatgjatë, por duhet menduar mirë. Projektet afatgjata janë të mira, pasi të japin kohë për të përgatitur mirë skuadrën dhe për të vënë në jetë idetë. Megjithatë do të pushoj pak, që të kthjelloj idetë dhe të marr vendimet”, u shpreh Shehi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *