Derbi i kryeqytetit kishte fuqi të madhe në Superiore, përtej 90 minutave dhe krenarisë deri në ndeshjen e radhës. Ekipi që humbiste në Tirana-Partizani firmoste edhe mini-krizën duke marrë tatpjetën për disa ndeshje me radhë.
Këtë ligj të pashkruar futbolli e ka shfuqizuar Orges Shehi. Në derbin e humbur me golin e Skukës, Tirana u kthye në ndeshjen e radhës për të fituar 1-2 ndaj Lacit.
Në derbin e fundit të humbur ndaj Partizanit, Tirana u kthye përsëri të fitonte 3-2 ndaj Lacit. Bardheblutë nuk e kanë parë kurrë një mini-krizë në kampionat, pavarësisht rezultateve jo shumë të mira në kohët e fundit. Të superosh anën psikologjike dhe veten tregon petkun e kampionit.
Kjo është arsyeja kryesore se pse Tirana është më favorite për të fituar titullin kampion dhe jo dy pikët që e mbajnë larg Partizanit. E kanë kthyer derbin në një ndeshje normale të kampionatit dhe në një ambient si ai i Tiranës kur dikur vlonte aq shumë, kjo nuk është pak. /Sport Ekspres/