Janë orë të nxehta, ndoshta deçizive, për ortakun e ri që do të blejë një pjesë të aksioneve në minorancë te Milani. Pritet që pas 15 apo 30 ditësh, Jonghong Li, presidenti aktual kuqezi dhe aksionari në mazhorancë, që e bleu klubin e Berluskonit për thuajse 600 milionë euro dhe që duke përfshirë borxhet, investimet në merkato dhe rritjen e buxhetit, deri tani ka shpenzuar thuajse 1 miliardë euro, pritet të ketë një krah të djathtë. Sipas lajmit të publikuar nga MilanNeës.it, drejtuesit kuqezi kanë analizuar dy dosierë të prezantuar nga dy banka të fuqishme që po bëjnë ndërmjetëset, një nga të cilat është Goldman Sachs. Të dy propozimet vijnë përtej Oqeanit, pra nga ShBA. Janë orë të nxehta, sepse firma e një akordi do të çonte Milanin përpara Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës me më shumë bindje dhe me një pozicion të fortë.
Përjashtimi – Sakaq, ballafaqimi i Milanit me UEFA-n ditën e martë nuk ka prodhuar asgjë të re dhe pozitive për klubin kuqezi. Shpjegimet dhe mbrojtja e Milanit janë konsideruar si aspak bindëse dhe situata financiare e klubit kuqezi nuk është e tillë që UEFA të tolerojë.
Mediat në Itali janë të bindura se UEFA do të kërkojë të paktën dy vite përjashtim nga kupat e Europës, por pritet edhe gjobë e rëndë, si dhe kthim me kusht në Europë, që do të thotë që do të vendosen një sërë kushtesh për t’u përmbushur. Fillimisht Milani mohoi hipoteza të tilla, por ka qenë vetë administratori i deleguar Marko Fasone ai që për Gazzetta dello Sport ka konfirmuar frikën për përjashtim. “Po e pranoj, nuk jemi optimistë. Ndjesitë nuk janë pozitive, por kam mësuar që ndjesitë nuk vlejnë shumë. Pas dy orësh seance dëgjimore, të paktën dolëm me sigurinë që na dëgjuan. Komisioni mori kohë për të kuptuar dhe gjykuar. Jemi në pritje, por nuk besoj se do dënohemi më shumë se një vit pa kupa”, deklaron Fasone. E megjithatë, burime pranë klubit sigurojnë se frika e përjashtimit për të paktën dy vjet nga Europa nuk është një skenar i besueshëm dhe aspak realist.
Vendimi – Sipas asaj që shkruan “Sky”, sakaq, pritet që vendimi i UEFA-s për Milanin do të vijë ditën e premte ose të shtunën. Ndërkohë, në ambientet kuqezi nuk janë optimistë për një kthesë të organit më të lartë financiar, edhe pse mbrojtja ka qenë e mirëpërpiluar nga Fasone & Co, që kanë “mëshuar” fort pas faktit se precedentet e shkuara janë “pro” Milanit dhe se nuk mund të bëhet një përjashtim.