Nuk ka asnjë fjalë për të përshkruar emocionet dhe kënaqësinë në stadiumin e Laçit. Ekipi i vogël nga Kurbini eliminoi “gjigantët” e Anorthosisit pas fitores me rezultatin 1-0 (2-2, rezultati i përgjithshëm). Meritë të madhe për këtë rezultat ka padyshim trajneri i Laçit, Besnik Prenga. Ai flet për “Sport Ekspres” pas fitores me Anorthosisin.
Profesor, kualifikim me dorë në zemër, si ndiheni?
Nuk e di, jam shumë i lumtur, jam në ekstazë. Nuk është se nuk e prisja, e dija, e kisha ëndërruar. Kemi punuar shumë për këtë ditë. Më vjen mirë që i ndodhi qytetit të Laçit me këtë tifozeri të mrekullueshme, sidomos në pjesën e dytë. Me mbështetjen e tyre e dija se mund të bënim mirë. Po prisnim minutën tonë për të goditur dhe ëndrrën tonë ta bënim realiteti.
A ishte kjo mënyra e vetme për të fituar, duke i falur territorin kundërshtarit?
Ma kanë bërë të gjithë këtë pyetje dhe po u them se kjo ishte mënyra e vetme. I falëm fushën kundërshtarit dhe hapësirën për të pritur momentin tonë për të goditur. E bëmë dhe në ndeshjen e parë e bëmë dhe sot, e dinim se do të shkonte kështu. Ekipi kundërshtar dominoi në statistika, por ne sot ia dolëm mbanë. Kishim në fushë një lojtar super, pavarësisht se nuk më pëlqen të bëj diferencime, pasi ekipi ia doli së bashku dhe dha gjithçka në fushë, por Uzuni ishte në formë të shkëlqyer. Ai na mori përdore.
Çfarë pritshmërish keni për turin e dytë?
Nuk mendoj për turin e 2, po mendojmë të festojmë. Për 2-3 ditë nuk duhet të mendojmë për futboll, por të rikuperojmë energjitë.
Hoxhallari është i huazuar, do e dëshironit në ekip?
Nuk e imagjinoj Laçin pa Hoxhallarin. Do i them presidentit ta blejë, e them me shaka këtë. Falenderoj dhe mikun tim, presidentin Pashk Laska. E falenderoj për këto 40 ditë që punova me të dhe i uroj shumë suksese.
Kush ishte më shumë optimist këtë herë, ju apo ai?
Këtë herë isha unë më shumë optimistë se ai.