Nga Klaudio Ndreca
Egnatia është eliminuar nga Champions League, ku ashtu si Ballkani, ndaj një rivali jo të fort në letër, ndëshkohemi në pikën e bardhë të penalltive dhe eliminohemi. Këtë herë bëhej fjalë për një kundërshtar serb, që kishte fituar titullin kampion në Bosnje Hercegovinë, Borac Banja Luka. Më mirë që ndodhi kështu, ndoshta mund të nxirret një leksion në një eliminim të merituar sesa në një kualifikim të gënjeshtërt.
Dhe te Egnatia ka shumë mundësi që ta bëjnë. Një klub që është vetëm për t’u duartrokitur, veçanërisht stafi drejtues. Goditjet që bëjnë në merkato, mendësia e klubit, shitja e lojtarëve në tregun e huaj, të gjitha këto janë cilësi të një skuadre të madhe dhe për këtë Egnatia ka notën 10. Ashtu si edhe për dinjitetin e treguar në ndeshjen e parë në Bosnje, ku lanë fushën pasi dëgjuan këngët kundër Kosovës, kundër shqiptarëve.
Dhe tani të kalojmë te analiza e eliminimit, për të folur disa të vërteta. Nëse Shqipëria ka pasur një ekip “flamur” në Europë, ai është vetëm Skënderbeu dhe nuk po arrihet nga askush tjetër. Kjo nuk ka të bëj thjeshtë me faktin e pjesëmarrjes në grupet e Europa League apo eliminimit të Dinamo Zagreb, por për lojën e bukur të zhvilluar, pa kurrëfarë inferioriteti.
Në ndeshjen e djeshme që Egnatia e fitoi 2-1 dhe e humbi në penallti, kishte disa momente gjatë lojës kur lojtarët e ekipit shqiptar nuk dinin se çfarë të bënin me topin në këmbë, sesi të dilnin në sulm, tregoheshin shumë nervoz me faulle që i jepnin frymëmarrje kundërshtarit apo edhe me goditje nga distanca, që në fakt në disa raste nuk i shkonin aspak një klubi serioz si Egnatia.
Sigurisht, disa do të thonë: “A jeni në rregull? Si nuk e meritoi Egnatia suksesin dje? E keni parë ndeshjen?”. Egnatia meritoi fitoren, por aspak kualifikimin. Është gjithçka e thjeshtë, në fundin e ndeshjes, Borac Banja Luka dha maksimumin e saj dhe më e shumta që mund të merrte nga ky takim ishte dërgimi i historisë së kualifikimit në ruletën ruse. Egnatia nuk nxori maksimumin e vetes dhe minimumi që mund të merrte në këtë përballje, ishin pikërisht penalltitë. Fakti që gjithçka u vulos nga 11-metërshat, tregon se në fund fitoi ekipi që kishte më shumë grintë, më shumë dëshirë për sukses.
Një diskutim shumë serioz duhet të bëhet për filozofinë e lojës në futbollin shqiptar. Jemi ende në makthet e katenaços italiane, ndjekim ende si të çmendur stilin e lojës ku fitorja që shijon më shumë është ajo 1-0 dhe ku pas çdo ndeshje akuzojmë Zotin që nuk na do dhe për këtë arsye ndeshjet tona përfundojnë 0-0.
Dhe kur dalim në Europë, shohim papritur se edhe në momentet kur kemi topin në këmbë, nuk dimë se çfarë të bëjmë me të sepse jemi mësuar vetëm të mbrohemi dhe të nisemi në kundërsulme. Dukej sikur te Egnatia kërkonin që ta mbyllnin këtë ndeshje me penallti në mënyrë që t’i gjenin një arsye eliminimit, “fati i keq”. Pasi duke parë cilësinë e lojtarëve në fushën e lojës, nëse Egnatia do të ishte hedhur në aventurë dhe do t’i provonte të gjitha për ta mbyllur lojën pa llogaritur penalltitë, do të ishte kualifikuar.
Si gjithmonë, në momente të tilla i adresohemi Zotit që na harron. Zoti mund të vendos për historinë e jetës tonë, të një marrëdhënie dashurie, bashkimesh, ndarjesh, por jo për historinë e një ndeshje futbolli, apo më tepër, të turit të parë kualifikues në Champions League. Nuk ishte kjo ndeshja ku ti e provon me të gjitha mënyrat gjetjen e golit, por shtyllat, traversat, disa tentativa radhazi ta mohojnë shënimin.
Pika e fundit që duam të përmendim, por që është më e rëndësishmja, është gjendja psikologjike e shqiptarëve, të ekipeve shqiptare. Kur vijnë momentet vendimtare, rrallëherë jemi të aftë t’i përballojmë psikologjikisht. Në një vend ku njerëzit janë gjithmonë të stresuar, ku këngët më të shpeshta që bëhen janë ato të natyrës vajtuese, nuk mund të dalin kurrsesi ndryshe edhe lojtarët e ekipeve shqiptare, pavarësisht faktit që janë profesionistë, pasi janë pjesë e këtij vendi, mentaliteti dhe fryme.
Mjafton të shihnit me vëmendje momentin para gjuajtjes së penalltive. Të gjithë lojtarët e ekipit serb të Bosnje Hercegovinës ishin grumbulluar me njëri-tjetrin duke bërë fjalime motivuese, duke përgatitur ekipin për grintën dhe zemrën që duhej të tregonin në sforcon e fundit të ruletës ruse, ndërsa në atë moment kur te kundërshtari po përplaseshin grushtet në pëllëmbët e duarve, te Egnatia kishin bërë rreshtin në mesfushë dhe po prisnin fillimin e ekzekutimit të penalltive. Dhe po bëjmë një krahasim vetëm me kampionët e Bosnje Hercegovinës.
Dukej sikur lojtarët e Egnatias e kishin arritur atë që kërkonin, që ndeshja të shkonte deri aty, e kishin hequr barrën e madhe nga vetja dhe tani luanin pa asnjë presion, por të rënë moralisht. Trajneri i Egnatias, Tetova, tha menjëherë pas ndeshjes se në stërvitjen e një dite më parë të gjitha penalltitë ishin kthyer në gola.
Por në fakt ajo që ndodhi nuk ka të bëj me përgatitjen teknike të lojtarëve për të gjuajtur penalltitë, nuk ka të bëj as me cilësitë e lojtarëve, por me gjendjen e tyre morale dhe psikologjike. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që Regi Lushkja, lojtari më i mirë, me më shumë eksperiencë dhe i një kalibri të lartë për Egnatian, humbet penalltinë dy herë rresht, radhazi, pasi arbitri i dha edhe një shans tjetër.
Nuk ka një shpjegim teknik të pastër kur në staturë, portieri i Egnatias, Sherri, është një portier i futbollit modern, që aspironte një ftesë për në Europianin e Gjermanisë me Kombëtaren dhe që është stërvitur me ekipin e Silvinjos. Por kur vjen momenti i një mbrëmje të tillë ku kualifikimi supozohet të vendoset nga fati, Sherri luan akoma më shumë me fatin duke mos marrë një vendim, duke mos guxuar apo duke mos nuhatur asgjë nga goditjet e kundërshtarëve.
4 herë godasin te Borac Banja Luka dhe Sherri hidhet 4 herë në të njëjtin krahë, dukej sikur e kishte vendosur që në fillim për t’i shmangur pengjet vetes, që të mos mendonte se pse nuk zgjodhi që të hidhej në krahun tjetër nëse nuk do ta bënte këtë zgjedhje.
Pavarësisht staturës së tij të një portieri që i përket futbollit modern, Sherri dukej tërësisht pa hije të rëndë në portë dhe është pikërisht ky detaj që tregon pse nuk është bërë kapërcimi për hapin e madh, se pse mungoi ftesa e Kombëtares në Europian. Në këtë ndeshje, Sherri duhej të provonte se kampionët e Bosnje Hercegovinës ishin një nivel shumë i ulët për të dhe t’i hipnotizonte në distancë.
Ndërkohë nga ana tjetër, portieri kundërshtar me një strukturë më pak moderne se Sherri, i kthehet në një hije të zezë futbollistëve të Egnatias, aq sa këta të fundit shmangin shikimin sy më sy me të pasi i jepte frikë dhe pasiguri. Nëse nuk arrijmë dot që të shohim në sy kampionët e Bosnje Hercegovinës, tregon shumë për punën e madhe që kemi përpara, sidomos në ndeshje të tilla kaq vendimtare dhe finale pasi luhet një sezon i tërë për të mbërritur në këtë 90 minutësh dhe nëse Egnatia eliminohet edhe nga Conference League, duhet të punojë sërish edhe një sezon tjetër, me muaj të tërë, për të mbërritur në një tjetër mbrëmje si ajo e djeshmja.
Pra në përfundim të analizës, nuk mungoi vetëm një top që nuk hyri në rrjetë apo që Zoti nuk ishte shqiptar, por ishte boshnjak apo serb. Që të kërkosh të arrish në nivelet më të larta të futbollit europian, pikësëpari duhet të ngresh nivelin tënd dhe puna duhet të fillojë nga këtu. /Sport Ekspres/