Opinion nga Altin Sulçe/ Konferenca e gabuar e Longos

OPINION nga Altin Sulçe

Diego Longo nuk do ta bëj gjumin e qetë sepse skuadra e tij, Kukësi, humbi një ndër finalet e Euopës, ndeshjen me Partizanin, brenda në shtëpi. Në fakt këtë ndeshje trajneri Longo e humbi, ose më saktë e udhëhoqi gabim, që në konferencën për shtyp, duke bërë një gafë amatoreske. Nxori rrobat e palara të klubit, – gjithnjë siç pretendon ai, për t’i larë para kamerave. Në gjuhën e futbollit shkaktoi një penallti, ende pa filluar ndeshja.

Atmosfera u rëndua në ekip pas humbjes së rëndë me Teutën dhe pjesës së parë shumë të dobët me Partizanin. Ekipi kërkonte moral, por italiani bëri të kundërtën. Duket se është i pamësuar me presionin si trajner i parë. Është tjetër gjë të shohësh dhe tjetër ta bësh vetë. Por Diego mori edhe një karton nga presidenti Safet Gjici, i cili tha për “Supersport”:

“Mesazhi që i jap është të mos merret me deklaratat por të marrë përgjegjësinë për rezultatet, ajo që i them është të mbyllë kampionatin dhe të arrijë objektivin, sepse kam besim te lojtarët. I pata thënë që në fillim mos mendo që këtë sistem loje nuk do ta kuptojnë kundërshtarët. Është trajner i mirë, shumë punëtor, por humb kohë me gjëra të tjera që nuk i takojnë. Për problematikat e tjera Kukësi ka njerëz të tjerë, një staf që merret me to”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *