Opinion nga Altin Sulçe/ DO TË LUAJ EDHE UNË…

Nga Altin Sulçe

Jam gati dhe mezi po pres! Kam shumë ditë që vetëm stërvitem, kam ditë të tëra që bisedoj vetëm për një gjë, më është kthyer në ide emone, prej kohësh jetoj në botën kuqezi.

Targeti: e enjtja e 12 tetorit… Atë mbrëmje do të luaj edhe unë, po po, në formacionin e Silvinjos… Edhe pse nuk jam i mirë në ‘samba’, do të kem vallen time. Ajo është e ashpër si vetë malet e vendit tim. Silvinjo do ta pëlqejë, jam i bindur.

Do të luaj fort, siç e kam pasur traditë, por këtë herë dua më shumë, të tejkaloj vetveten, të luaj me fuqinë e shpirtit tim.

Do të luaj në portë dhe do të ul “qepenat”, që çekët të mos shënojnë në “shtëpinë time”, do luaj në mbrojtje si dikur Loriku, kur na udhëhoqi drejt Europianit “Francë 2016”.

Do jem në mesfushë si Sul Demollari i dikurshëm, apo si Asllani i Interit, do mbështes Bajramin dhe Asanin dhe më pas do hidhem si rrufe në sulm për t’i pasuar Brojës apo Cikës…

Dhe pse unë nuk jam lojtar, prapë se prapë, dua të luaj ashtu siç di, se diku e kam lexuar se disa ndeshje nuk fitohen me skema, por me “zemër luani” dhe unë e kam këtë.

Por, unë do jem gjithandej, brenda dhe jashtë fushe, në një ditë të jashtëzakonshme të futbollit tonë!

Do të jem në rrugë duke kënduar këngët e të parëve.

Do t’i këndoj Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i këndoj Adem Jasharit dhe Çerçiz Topullit. Ah sa shumë do këndoj! Por edhe do kërcej, sup më sup siç dimë vetëm ne shqiptarët.

Do kërcej vallen e shqipeve, vallen e Tropojës, do kërcej vallen e Çamërisë. Do kërcej, kapur dorë për dore si një ansambël.

Do të jem i stolisur me veshjen e zjarrtë, me ngjyrat më të ndezura e më të bukura në botë.

Do jem me shaje në qafë e flamurin kuqezi në duar.

Do jem në Tiranë, në epiqendrën e Shqiptarisë. Aty ku tifozi takon tifozin, shoku-shokun; aty ku qytetet afrohen dhe bota zvogëlohet, aty ky origjina bëhet një.

Dhe që aty do të shkoj në stadium. Atje, kam një repertor tjetër, koreografik dhe patriotik. Atje kam një pasion, por edhe mision, atje kam mbrëmjen e madhe.

Po, ndeshja po fillon, unë dua të jem në fushë edhe pse jam gazetar, ashtu si do dhe ti, edhe pse ke një profesion tjetër.

Silvinjo nuk na fut, se ka zgjedhur me të mirët dhe vërtet ata janë dhe këtë e kanë vërtetuar…

Por ne të dy do të luajmë me mend dhe zemër në fushë, me zërin tonë të fuqishëm. Do të luajmë dhe duhet të performojmë sa më mirë, se Shqipëria të gjithëve na do në formacionin e saj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online