Onuh e Dikson, zyrtarisht të Besës

Në dy dekadat e fundit, Besa e Kavajës ka qenë një “strehë” e dashur për shumë futbollist të huaj. Ata kanë qenë nga kombësi të ndryshme. Nga dje zyrtarisht i përkasin Besës Idakvo Eçe Dikson dhe Cinonso Onuh, pasi e kanë mbyllur tashmë procedurën e federimit. Këto dy përforcime konsiderohen si pjesë e rëndësishme e boshtit kryesor të Besës, që në mesfushë mbështete te kapiteni me shumë përvojë, Meglid Mihani. Miraka, Dikson, Mihani dhe Onuh janë “shtylla” e ekipit kavajas, pa nënvleftësuar e mohuar aspak rolin dhe peshën specifike që do të kenë në fushë gjithë futbollistët e tjerë. Në miqësoret e zhvilluara në këtë periudhë të parë vitit 2018 është parë që Dikson dhe Onuh janë votëbesuar si titullarë në pozicionet që mbajnë, me bindjen e shpresën e palëkundur se ata do të justifikojnë më së miri rolin e përvojën e tyre në ekipin kavajas.

PËRGATITJET –Sot në ora 14:00, që korrespondon me orarin e ndeshjes së nesërme, verdhezinjtë do të zhvillojnë seancën e fundit. Nga Besa konfirmohen për këtë ndeshje të parë vetëm dy mungesa, ajo e mesfushorit me tipare sulmuese Edmond Hoxha, si dhe e qendërmbrojtësit Besmir Kullolli. Ky i fundit nuk do te jetë i gatshëm për shkak të pezullimit të marrë nga Komisionit i Disiplinës. Gjithë lojtarët e tjerë janë në formën më të mirë. Kjo gjë ka rritur besimin e shpresën te drejtuesit e Besës për të marrë tre pikët në takimin ndaj Erzenit.

Fatmir Efica

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *