Partizani nuk priste ndonjë short të lehtë në Europa League, por natyrisht përballja me Mariborin është tepër e ndërlikuar dhe shanset duken të vogla.
Këtë gjë e pranon edhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, i cili në një deklaratë për Sport Ekspres shprehet: “Vetë renditja e UEFA-s dhe fakti që vjet kanë qenë në fazën e grupeve të Champions League, ku kanë marrë rezultate ndaj Spartakut të Moskës dhe Seviljas, tregon që na ra kundërshtari më i fortë i mundshëm. Pavarësisht këtyre fakteve, ne na motivon edhe më shumë përballja me një kundërshtar të fortë”.
Për Partizanin një kualifikim do të vlente jashtëzakonisht edhe për të ardhmen: “Me rregulloren e re të UEFA-s, i marrim dhe koeficientin po e kaluam. Tani e tutje çdo kualifikim është investim i madh për të ardhmen”.
Merkato? “Ne duhet të shikojmë në shtëpinë tonë, për të marrë maksimumin e mundshëm nga stafi dhe lojtarët. Për të tjerat do të shohim”, përfundon Rama.