Andres Iniesta është një ndër “të fundit e Mohikanëve”, përfaqësues i një brezi legjendar që ngriti Barcelonën në majën e botës dhe gjithashtu bëri Spanjën një superfuqi botërore në futboll, me Kupën e Botës dhe dy kampionate Europe në pak vite.
E quajnë “Don Iniesta”, shenjë nderimi për një futbollist legjendar dhe njeri të veçantë, i cili është një simbol i Barcelonës, ku pret të mbyllë karrierën, por tashmë mesfushori është në udhëkryq.
Sipas të përditshmes katalane Sport, Tianxhini në Kinë i ka bërë një ofertë spektakolare, me një pagë prej 35 milionë eurosh në sezon! A mund të refuzohet? Iniesta nuk është më një pikë kyçe të Barça, por ka klas dhe mbetet një lider në fushë e jashtë saj, ndaj është e qartë që Barcelona shpreson që largimi i mundshëm të vijë sa më vonë. Dashuria, në futbollin modern, e ka gjithnjë një çmim, çfarë do të bëjë Iniesta?