“Nuk u ndjeva i vlerësuar“, Mërgjyshi zbulon arsyen e largimit nga Apolonia: Nuk më përmbushën kushtet e kontratës

Apolonia e sezonit të shkuar ishte fantastike, duke siguruar bindshëm ngjitjen në Kategorinë Superiore. Një ekip i formuar nga lojtarë të rinj, që në fushë treguan cilësi dhe ndoshta mund të jenë surpriza e këtij viti në elitën e futbollit shqiptar. Padyshim, një meritë e madhe në këtë sukses i takon edhe arkitektit të atij ekipi të vjetshëm, Artan Mërgjyshi. Por pavarësisht arritjeve të sezonit të shkuar, në atë që do të pasonte pankina e Apolonisë do të gjente ulur një tjetër trajner.

Në një prononcim për “Syri TV“ me gazetaren Enkeleda Zeko, Mërgjyshi zbulon edhe arsyen përse skuadra fierake e largoi nga drejtimi i skuadrës, ndërsa më tej ka folur edhe për situatën aktuale në të cilën ndodhet futbolli shqiptar, teksa ekipet e Superiores nuk i ndahen 4 kërkesa ve të tyre dhe kanë zgjedhur bojkotin si mënyrën për të marrë vëmendjen e seriozitetin e Qeverisë.

Largimi nga Apolonia – “Nuk arritëm marrëveshjen me klubin e Apolonisë për shkak se nuk u plotësuan kërkesat e kontratës që kisha. Në rast se kualifikoheshim në Superiore kontrata ime rinovohej me dyfishin e pagës por me drejtues të klubit nuk gjetëm gjuhën e përbashkët. Nuk u ndjeva i vlerësuar për atë arritje që bëra dhe në fund prepremë bashkëpunimin”.

Bojkoti? “Të penalizon shumë për faktin që nuk dimë një datë reale kur mund të fillojë gara pasi edhe futbollistët janë shpërqendruar dhe trajnerët nuk planifikojnë dot fazën përgatitore për shkak të situatës në të cilën ndodhemi. Kjo ndërprerje na penalizon shumë, kur të filloj kampionati do të ketë shumë ngjeshje të ngjeshura në kalendar dhe do të jetë shumë e vështirë”.

Kategoria e Parë bojkot? “Për kategorinë e Parë është në pritje edhe për formulën ku të marrin pjesë 16 skuadra, në rast realizohet do të jetë një garë më e fortë. 4 bien nga kategoria dhe dy hyjnë në Superiore. Federata po shtyn hedhjen e shortit për të vijuar me bojkotin edhe për kategoritë më të ulëta”.

Tirana në fazën e Grupeve të Europa Leagues – “Në letër skuadra zvicerane e Young Boys është e avantazhuar pasi kanë një buxhet dhe lojtarë me cilësi shumë të mirë. Fakti që në Shqipëri nuk ka nisur kampionati ende, penalizon Tiranën e cila përpost kësaj ka probleme në organikë dhe me dëmtime lojtarësh. Kjo është në ndeshje që Tirana do të provojë shanset e saj, ky ekip na ka treguar se kur është në ditët e saj më të mira mund të na befasojë me rezultate. Këtë ndeshje e shikoj 65% me 35% në favor të Young Boys”, ka deklaruar Mërgjyshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *