Fjalë të mira dhe impresione pozitive ka lënë në mediat italiane shefi i departamentit të analizave të ndeshjeve në FSHF. Teksa është pyetur për finalen e Conference League mes Romës dhe Feynord, nuk kishte sesi diskutimi të anashkalonte Marash Kumbullën. Alarico Rossi është shprehur se mbrojtësi shqiptar vjen nga një familje e përsosur që e ka mësuar me kulturën e punës.
“Marash Kumbullën e njoh mirë sepse ka kaluar me ne të gjithë procesin e kombëtareve të moshave. E kemi pasur që në fillim dhe mund t’ju them se cilësitë e tij kryesore nuk janë futbolli: “Janë arsimi, inteligjenca, futet në punë si pak lojtarë të tjerë, i kupton gjërat para të tjerëve dhe pavarësisht se është vetëm datëlindja 2000, është ndër drejtuesit e Shqipërisë tonë.
Nëse nuk luan, nuk mendon si shumica e lojtarëve të tjerë, se “trajneri është gomar prandaj nuk më lë të luaj”. Jo, pyet veten se ku gaboi dhe si mund të përmirësohet. Mendërisht ai është një lojtar i evoluar, ka një kulturë pune. Një herë shkova në Desenzano del Garda në picerin e babait të tij dhe kuptova sekretin e Marashit. Fati i tij është të ketë një familje të tillë, me atë kulturë pune”, tha Rossi. /Sport Ekspres/