“Nuk thashë asgjë për Serbinë, më nënshtruan emocionet”! Gazetari serb reagon për thirrjet e Mirlind Dakut

Ky Europian i Gjermanisë duhet të ishte një trampolinë e madhe për Mirlind Dakun që pas shkëlqimit në Rusi, pritej të linte gjurmë edhe me Kombëtaren. Megjithatë në ndeshjen e parë kundër Italisë, ky futbollist nuk u përdor në fushë. Më pas pak minuta ndaj Kroacisë dhe mbërriti momenti pas ndeshjes që solli shumë reagime.

Daku mori megafonin dhe ndezi tifozët që të këndonin kundër “armiqëve tanë”. Kjo sjellje u dënua nga UEFA-s që e pezulloi sulmuesin shqiptar për 2 ndeshje, duke humbur kështu mundësinë për të luajtur ndaj Spanjës. Në një intervistë për mediat në Rusi, Daku ka kërkuar falje.

“Kjo javë ka qenë shumë e vështirë, kam përballuar një presion që nuk e kam kaluar më parë. E gjeta veten në qendër të skandalit dhe jam i turpëruar. Nuk dua të provokojë situatë të tilla, situata më doli nga kontrolli. Pas ndeshjes së parë me Italinë, Elseid Hysaj mori shumë kritika nga tifozët.

Ai ishte në presion nga tifozët dhe mediat. Pas ndeshjes me Kroacinë, doja ta mbështesja, shkova me të në tribunën e tifozëve që tifozët ta pranonin, ta mbështesnin dhe të ndanim bashkë momentin e gëzueshëm. Pastaj i dhanë një megafon, unë isha atje. Më vonë megafoni mbërriti në dorën time dhe unë thashë ato fjalë. Në ndeshje të tilla, tifozët këndojnë këto këngë, emocionet ishin të mëdha, por kjo nuk më justifikon aspak. Menjëherë pas këngës e kuptova se çfarë kisha bërë, isha i shokuar që më kishin nënshtruar tërësisht emocionet. Unë nuk thashë asgjë për Serbinë dhe për askënd tjetër. Pas ndeshjes, Federata Serbe e futbollit nuk ka dërguar ankesa zyrtare në UEFA, nuk kishin asnjë ankesë kundër meje. U kërkoj falje të gjithëve atyre që u lënduan nga ky akt”, tha Daku.

Nga ana tjetër, gazetari serb, Ivan Cvetkovic, ka kërkuar që Daku të falet për këtë rast. “Është e pamundur të harrohet, por duhet bërë. Një sportist nuk duhet të sillet kështu, le të shpresojmë se Daku e ka kuptuar gabimin dhe ky të jetë një shembull i mirë edhe për të tjerët. Duhet ta falim Mirlind Dakun, një falje universal, duhet ta bëjmë”, tha gazetari serb. /Sport Ekspres/