Në mesin e një pandemie që po shkakton shumë viktima dhe njëkohësisht një goditje të madhe psikologjike, me jetën dhe të gjitha fushat e saj që i kanë dhënë ndalesën përditshmërisë prej javësh, ka edhe skenare pozitive. Në këtë frymë është edhe komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha. Kur flitet për kampionatet dhe shumë fate që po diskutohen në këto kohë, Shakohoxha e ka siguri se gjithçka do të vazhdojë si më parë dhe të gjitha do të mbyllen, ndërsa si dëm të vetëm sheh faktin se lojtarëve nuk do u ngelen shumë ditë pushimi për plazh.
Megjithëse duhet theksuar nga ana tjetër që disa ekipe në Angli janë prag falimentetit në kategoritë më të ulëta sepse mbahen me lekët e biletave, po ashtu si të tjera skuadra kudo në Europë, ndërsa edhe Sioni do të largonte 9 lojtarë për arsyen e kësaj krize.
“Kemi dëgjuar shumë nga gazetarët për këtë shtyrjen e kampionateve, por nuk ka asgjë zyrtare. Kampionatet do të nisin në 1 qershor duke parë gjendjen dhe do të mbyllen në 30 korrik. Nuk po ndodh asgjë këtu, mos u çudisni. Po bëhet siç e ka zakonisht Holanda, që e nis kampionatin në fundin e korrikut.
Nuk do të ketë kampionate në tavolinë, harrojeni, do të luhen të gjitha. I vetmi dëm këtu do të jetë për lojtarët që do të mbesin pa plazh dhe nuk do të kenë shumë kohë se do bëhen gati për sezonin tjetër”, tha Shakohoxha. /Sport Ekspres/