Mbrëmja e djeshme e gjeti protagonist Mario Balotelin, por jo në fushën e lojës. Sulmuesi italian nuk arriti të linte gjurmë në ndeshjen që ekipi i Breshias humbi me rezultatin 3-1 me Xhenoan, ku edhe u desh të dilte nga loja në minutën e 72-të të takimit për t’i lënë vendin Donarumës.
Futbollisti italian duket se nuk e ka pritur mirë këtë moment dhe ka dalë i zemëruar nga fusha, madje duke goditur dhe shkatërruar edhe një aparat foto grafik që gjendej aty pranë. Këtë gjë e bën të ditur edhe vetë fotoreporteri Masimo Lovati, i cili me anë të një postimi në “Instagram” tregon si ndodhi ngjarja. Lovati shprehet se Baloteli e ka shkelmuar aparatin e tij, që ishte i vendosur në trekëmbësh dhe kontrollohej prej tij nga distance, si të ishte një top futbolli. Ai shton se këto janë mjetet e tij të punës dhe pikërisht për këtë arsye sulmuesi i Breshias duhet të tregojë më tepër respekt.
“Zoti Baloteli, në kohën kur e thërritën për ta zëvendësuar, e ka goditur (aparatin) si të ishte një top dhe e ka hedhur drejt tabelave rrethuese të reklamave. Kam vërë re se aparati është dëmtuar shumë dhe nuk punon më. Gjë e bukur të merresh me mjetet e punës. Nuk kam fjalë dhe nuk bëj komente. Jam i dekurajuar: resprekt, duhet respekt për personat që punojnë dhe për mjetet e tyre”, shkruan ndër të tjera fotoreporteri Masimo Lovati./Sport Ekspres/
https://www.instagram.com/p/B4GQzwqoJRk/?utm_source=ig_embed