Në krye të “Abissnet Superiore”-s mbetet përsëri Partizani. Të kuqtë kanë marrë tre pikët në Shkodër, ku kanë treguar grintën e duhur mbrëmjen e sotme. Vllaznia kalon e para në avantazh, teksa shënon në minutën e 37 me anë të Hoxhajt. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e kuqebluve, ndërsa e dyta nis të flasë për Partizanin. Kur kronometri shënonte minutën e 66, Da Silva kthen baraspeshën dhe rihap sërish lojën. Të kuqtë ngulmojnë deri në fund për fitoren dhe e arrijnë falë Xhuljano Skukës. Sulmuesi i kryeqytetasve shkund rrjetën në minutën e 85 dhe përmbys rezultatin në “Loro Boriçi“. Kaq mjafton që tre pikët të shkojnë në kryeqytet. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Ti bo gol“ në “Oversport“.
Rexhepi (Partizani): “Normale, besoj që çdo profesionist e kupton kur ka momentet në ulje dhe në ngritje. Kështu që e kam marrë me vështirësi. Normale që ka qenë e vështirë, por e kam marrë dhe e kam kaluar me shumë qetësi këtë punë. Mezi sa prisnim të tregonim veten. Unë për vete nuk ndjej presion nga askush. Kam edhe përkrahjen maksimale nga ekipi. Do dal në çdo ndeshje për të bërë më të mirën. Mund të them që do rri me kokën lart dhe do jap maksimumin për Partizanin“.
Josa (Vllaznia): “Nuk mund të themi që skuadra u kënaq dhe po mbrohej. Interpretuam një pjesë të parë të mirë. Partizani bëri lojën që i takon të bënte. Patëm momente të mira në pjesën e parë. Mendoj që nuk ishte problem lodhjeje, por mënyra se si dolëm. Nuk kishim mbështetjet e duhura për të dalë nga presioni i Partizanit. E humbim topin në vijën tonë të parë, si golin e dytë. Ai rast u përsërit shumë herë. Ishte një moment që u barazua rezultati, aty duhet të ishim më të kujdesshëm. Lojtarët që ishin në lojë mund ta kishin interpretuar ndryshe lojën. Nuk mund t’ja hedhim fajin një lojtari të veçantë. Unë e shoh golin që te momenti kur humbim topin. Nuk është problem fizik. Skuadra kur ka problem fizik nuk mund të vrapojë. Ne nuk ndenjëm në pritje. Problemi ishte i koordinimit të lëvizjeve që në momentin që topi ishte te mbrojtësit tanë. Ndeshje e vështirë me Laçin? Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ke në fillim ndeshjen e Kupës. Të mbarojmë njëherë ndeshjen e Kupës, pastaj të shikojmë për Laçin“.
Kolela (Partizani): “Jam i kënaqur edhe për skuadrën edhe për lojtarët, sepse tani e kanë kaluar atë shok psikologjik nga derbi. Skema me 3? E kam menduar që ta aplikoja në të ardhmen. E aplikova sot dhe po e mendoj për skemën me tre mbrojtës. Në derbi nuk janë bërë gjëra të mira. Mendoj që edhe disa lojtarë mjaft të rinj në moshë nuk kanë pasur mentalitetin e duhur për ta përballuar një ndeshje të tillë. Sot kemi bërë një ndeshje si një skuadër më e pjekur. Ndeshje të tilla do na shërbejnë shumë edhe në të ardhmen. Shpresojmë të bëjmë sa më shumë të tilla ndeshje. E kemi thënë që në fillim. Është një skuadër e mirë, me lojtarë të mirë. Është ndërtuar dhe do lu.ftojë për titull kampion. Derbi na shërbeu shumë për të njerrë mësime dhe për të reaguar“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/