Starova nuk do të ndryshojë formacion. Boshnjaku do ta nisë nga minuta e parë. Progni dhe Bardhi sërish së bashku. Abdurahimi dhe Lukasi në stol
Partizani do të luajë një sfidë mjaft të vështirë sot kundër Lushnjes, prej orës 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Një takim delikat për kryeqytetasit që kanë nevojë për pikë, kryeqytetasit i druhen presionit të vetës më shumë se sa për vetë forcën e kundërshtarëve. Barazimi pa gola i fazës së parë duket një histori e kaluar dhe e hedhur pas shpatullave, pasi të kuqtë kanë ndryshuar shumë në përbërje, por dhe në stolin teknik.
Stafi teknik ka “gatuar” formacionin që do të hedhë nga minuta e parë në sfidën e sotme. Tekniku Sulejman Starova nuk do të ndryshojë asgjë nga ndeshja kundër Skënderbeut, pasi pavarësisht humbjes, skuadra e tij luajti mjaft mirë. Një vlerësim të tillë e shprehi tekniku Starova në konferencën e djeshme për shtyp, por dhe Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama. Të dy ishin në të njëjtën mendje, skuadra luajti mirë, por fatkeqësisht nuk u morën pikët.
FORMACIONI – Starova vëzhgoi skuadrën dhe në seancën e fundit stërvitore. Ai piketoi lojtarët që do ta nisin nga minuta e parë. Në fakt, numri një i stolit nuk e kishte shumë të vështirë, pasi do të hedhë nga minuta e parë të njëjtët lojtarë që luajtën në sfidën kundër korçarëve në Korçë. Nga minuta e parë do të luajë në portë, portieri Alban Hoxha. Mbrojtja do të rreshtohet me katër. Ibrahimi në krahun e djathtë, Gojkoviç dhe Belica në qendër dhe Kotobelli në krahun e majtë. Mesfusha me Bathën dhe Malën në qendër, të mbështetur nga Asani dhe Trashi nga krahët. Të dy me detyra të qarta sulmues. Sulmi do t’u besohet sërish Prognit dhe Bardhit që lënë sërish në pankinë Abdurahimin dhe Lukasin.
GOJKOVIÇ – Autogoli në Korçë nuk do e nxjerrë jashtë formacionit mbrojtësin Renato Gojkoviç. Gabimi i tij i kushtoi humbjen kryeqytetasve, por trajneri Starova i ka qëndruar në krah dhe i ka dhënë besim. Shtatlarti do ta nisë nga minuta e parë ndeshjen kundër Lushnjes. Ai u afrua në merkaton e janarit dhe u mendua se do të ishte një lider për formacionin e kuq. Deri tani ka treguar të dhëna të mira, ashtu si dobësi, por është një lojtar premtues.
TAKTIKA – Starova do të sulmojë ekipin e Lushnnjes nga krahët e fushës. Trashi dhe Asani kanë detyrë të çajnë mbrojtjen kundërshtare dhe të furnizojnë Bardhin dhe Prognin me topa. Kotobelli do të përdoret në krahun e majtë, trajneri Starova kërkon nga ai që të jetë mjaft aktiv në sulm.
Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha – Ibrahimi, Gojkoviç, Belica, Kotobelli – Asani, Batha, Mala, Trashi – Progni – Bardhi