Partizani i këtij sezoni është për zemra të forta! Të kuqtë arritën që të fitonin një ndeshje dramatike ndaj Skënderbeut duke shkuar në kuotën e 15 pikëve. Goli i parë do të vinte nga Rapaj në minutën e 14. Mesfushori realizoi një silurë nga distanca duke shtangur portierin e korçarëve. Padyshim që goli në fjalë ishte më i bukuri në karrierën e Rapajt. Por festa zgjati fare pak, pasi vetëm 5 minuta më vonë ishte Mensah që barazoi rezultatin.
Skënderbeu protestoi jo pak për një gol të anuluar në minutën e 63, atje ku arbitri dhe VAR vendosën se topi ishte prekur me dorë para se të shkonte në rrjetë. Megjithatë korçarët kishin mundësinë e artë të barazimit në minutën e 83 me anë të penalltisë, por Meksi u neutralizua nga Teqja. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Daja (Partizani): “Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë. Nga më të mirat që kemi bërë në këto javë të kampionatit. Mund ta kishim shmangur marrjen e golit në pjesën e parë dhe mund të kishim shfrytëzuar rastet që ta dërgonim ekipin në dhomat e zhveshjes në pushimin mes pjesëve me një avantazh më të thellë. Në pjesën e dytë ulëm ritmin. Duke u nisur në një pjesë të fazës së parë që kemi bërë lojra të mira por nuk kemi marrë pikët, tani marrja e pikëve na jep pozicion më të mirë në renditje. Kjo na ndihmon në anën psikologjike. Kaçe po përmirësohet, Cara kaloi atë momentin pas dëmtimit. Mund ta shtyjmë me një minutazh më të lartë në vazhdim. Teqja, jo vetëm sot, por ka një paraqitje mjaft të mirë që kur ka mbrojtur portën me ne. Një meritë për 3 pikëshin i shkon atij.
E kam përsëritur disa herë. Po të shikoni sot shënuesit e golave ishte Cara 21-vjeç. Kemi Salioi 20 vjeç, Marku 21 vjeç. Pra kemi lojtarë shumë të rinj. Këta lojtarë e vuajnë akoma më shumë sepse nuk kanë eksperiencën e duhur. Jemi ekipi i dytë që kemi marrë më pak gola nga të gjithë. Por marrim gola që mund të jenë të evitueshëm. Sa i përket Alban Hoxhës nuk është grumbulluar me ekipin sepse nuk është në formën e tij. Nëse Teqja vazhdon me të njëjtin nivel, duhet të presi që Teqja të gabojë. Megjithëse Albani është një nga portierët më të mirë dhe është kapiteni i ekipit. Kalendari? Po ti referohemi fazës së parë, asnjë nuk na ka marrë fitore, as Vllaznia, as Dinamo, as Kukësi. Kemi dalë barazim por kemi qenë superiorë. Çdo ekip vlerësohet njësoj nga Partizani. Do përballemi me se s’bën. Jo vetëm njëherë, por edhe tre herë të tjera. Vërtetë kemi qenë në krizë pikësh, por në lojë nuk jemi dominuar asnjëherë”.
Memelli (Skënderbeu): “Goli i anulluar? Topi e ka kapur në kurriz. Nuk e ka prekur me dorë, sepse kjo pamja ku e ndaloni ju topi nuk ka shkuar akoma te lojtari. Arbitri e ka anulluar këtë gol direkt pa marrë një sinjal nga VAR-i. Mua lojtari më ka thënë në dhomën e zhveshjes që nuk e ka kapur fare topin me dorë. Po diskutuam për bërrylin, atëherë duhet të më thoni që edhe prekja me dorë e Asion Dajës në Kamëz ishte penallti dhe nuk u dha. Mungon një karton i kuq për Partizanin te rasti i penalltisë. Kjo është një estradë. Qahen për arbitra këta.
Më jepni dhe golin e Partizanit se kush merr pjesë në aksion. A merr pjesë në aksion Musta? Merr sepse ka ulur kokën. Nejse, rasti më flagrant është ajo që lojtari i Partizanit nuk është ndëshkuar me karton të kuq te penalltia dhe topi që kap në ije Zhan Viktorin. Imagjinojeni nëse këto bëhen në “Air Albania“ çfarë mund të bëhet në fushat e tjera. Ajo çfarë kam sot për skuadrën është vetëm fjalë të mëdha. Shënuam, humbëm një penallti tjetër sot. Ajo çka më jep siguri dhe besim te puna është performanca. Sot kishim ardhur për të marrë maksimumin dhe bëmë maksimumin. Nuk kam asnjë pishman. Do dukem si qarraman të qahem javë për javë. Këta janë 8 veta, qarkullojnë nga një ndeshje në tjetrën. Duket qartë që jemi të penalizuar”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/