Nevil Dede ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në “Pressing” në “ABC News”, ku ka diskutuar për krizën e thellë në të cilën po e gjen veten Partizani. Sipas trajnerit kryeqytetas, Sormani ishte një zgjedhje e gabuar dhe se lojtarët tashmë kanë humbur besimin. Dede nuk i kursen kritikat për formacionin e “demave të kuq“, të cilin e quan një zallamahi të vërtetë, ku edhe futbollistë cilësorë si Hoxha, Telushi apo Trashi dalin më të dobëtit në fushë. Me këto rezultate, janë lojtarët ata që po humbin më shumë.
“Lojtarët kanë humbur besimin. Po e nis nga fillimi. Lerda erdhi dhe kishte problem me lojtarët, pastaj kishte ndryshime në formacion dhe ndryshime pozicionesh. Lerda ishte 6 pikë para Tiranës kur iku, tani janë 21 pikë prapa. Zgjedhja e Sormanit nuk ishte e duhura. Edhe ai nisi pa stabilitet në formacion.
Ndërrimet e emrave dhe pozicioneve kanë ndikuar. Me gjithë këtë zallamahi të formacionit, edhe lojtarë si Hoxha, Telushi e Trashi, dalin ndër më të dobëtit në fushë. Ata nuk e dinë kë kanë në krah, Hoxhës i gjuajnë trefish më shumë, Telushit i zgjatet skuadra. Të gjitha bëhen bashkë dhe harmonia në lojë mungon.
Nuk del kurrë lojtari i ndeshjes, kur humbet. Ata si lojtarë po marrin kosto të mëdha. Telushi është nën 50 për qind të kapacitetit të tij. Trashi ka vetëm një fazë. Nuk del lojtar ndeshjeje kur humbet. Nuk ka mundësi të vijë Boldor nga karantina e të bëhet titullar”, ka thënë Nevil Dede./Halit Delibashi-Sport Ekspres/